BallinaAtdheuKosova e do BE-në, por është ende larg “provimit pranues”!

Kosova e do BE-në, por është ende larg “provimit pranues”!

-

Nga: Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog

Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën nuk duhet kuptuar vetëm si një dokument teknik që mat përmbushjen e kritereve, të cilat tashmë janë shumë më të ashpërsuara sesa ato kur shtetet e tjera të Evropës Juglindore ishin pranuar si pjesë integrale e asaj “ndërtesës së ftohtë”, siç e kam identifikuar BE-në në shkrimet dhe tekstet e mia të mëhershme, por edhe si një pasqyrë e gjendjes së funksionimit të shtetit dhe e cilësisë së marrëdhënieve ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë. Dhe, duke u bazuar në këto kritere, të shikuara me dioptrinë sociologjike, kam përshtypjen se problemet e Kosovës nuk janë vetëm të natyrës teknike e administrative, por kanë të bëjnë me disa deficite strukturore që e ngadalësojnë konsolidimin demokratik dhe evropianizimin e saj.

E para, ajo çfarë kam kuptuar nga “llupa” monitoruese e këtij Raporti ka të bëjë kryesisht me kompleksin e një deficiti institucional dhe politik që e “ushqeu” ngërçi apo “kaosi i kontrolluar”, siç e kam identifikuar. Ky, tip “kaosi…” për gati njëzet muaj, u përcoll me kriza të përsëritura politike, me bllokada absurde parlamentare e sidomos me mungesën e një konsensusi elementar politik, të paktën për interesat strategjike afatgjata të Republikës!Sepse, përvojat historike të popujve që kanë ndërtuar shtete të qëndrueshme na kanë mësuar se shteti nuk mund të funksionojë mbi logjikën e konflikteve permanente dhe bllokadave absurde që bëhen për disa interesa meskine, klanore e grupore të subjekteve politike.

E dyta, ajo çfarë flasin “gjetjet” e këtij Raporti na dëshmon shumë qartë se edhe në temën e sundimit të ligjit, luftimit të krimit, pastaj korrupsionit e sidomos në “kodin” e llogaridhënies, ka mangësi ende evidente, për të mos thënë alarmuese. Ku, me “dioptrinë” e Raportit, hetohet se ka munguar përgjegjësia institucionale, e cila nuk detektohet vetëm te ekzistenca e ligjeve, por edhe te zbatimi i tyre i barabartë dhe pa selektivitet për të gjithë qytetarët e Republikës.

E treta, si një deficit tjetër, “detektorët” e Brukselit kanë radhitur në mënyrë taksative çështjen e nevojës së profesionalizimit të administratës publike. E cila jo vetëm që është e stërngarkuar me administratorë të tepërt dhe në shpërputhje me trendet dhe standardet evropiane, por, çfarë është më e keqja, administrata kosovare gjatë gjithë periudhës së etheve të tranzicionit u stërngarkua tej mase me militantë partiakë. Dhe, duke qenë shumë e politizuar, me plot defekte në menaxhimin institucional dhe me mungesë të cilësisë së shërbimeve, ajo nuk arriti asnjëherë të shkëputet nga “prangat” e politikëbërësve dhe, definitivisht, t’u afrohet standardeve evropiane për shërbime cilësore.

E katërta, indiferenca e politikës ndaj “syrit të tretë”, që nënkupton shoqërinë civile, ishte po ashtu një vërejtje serioze që futet në agjendën e deficitit të demokracisë dhe të integrimit social. Në këtë temë, sipas vlerësimit të Raportit të Progresit, konsultimi i pamjaftueshëm me shoqërinë civile, raportet jo gjithmonë funksionale me mediat dhe sidomos me institucionet e pavarura, si dhe sfidat në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, dëshmojnë se kulmi i demokracisë së një vendi në tranzicion nuk përfundon vetëm me organizimin e zgjedhjeve të shpeshta, për të cilat, dorën në zemër, nuk ka pasur ndonjë vërejtje alarmuese. Por kërkon një kulturë të gjerë dialogu, një pluralizëm të shëndoshë dhe një pjesëmarrje aktive, ku qytetaria “kujdestaron online” edhe për padrejtësitë më të vogla.

E pesta, një vërejtje që dikush mund ta marrë edhe si sugjerim apo si rekomandim të këtij Raporti, të cilën ne, me llupën tonë sociologjike, kemi arritur ta identifikojmë, ka të bëjë po ashtu me një deficit tjetër, atë që manifestohet në dy sfera: në atë të zhvillimit socio-ekonomik dhe në atë të sferës së “kaosit” politik. Kur është në pyetje sfera ekonomike, aty “rekrutohen” tema madhore si papunësia, pabarazia, emigrimi dhe mungesa e perspektivës ekonomike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në kohezionin shoqëror. Ndërkohë, kur është fjala për deficitin politik, në Raport përmenden problemet e ngecjes në zbatimin e obligimeve që dalin nga dialogu (për mua: kompromiset gjatë negocimit!) me Serbinë, si edhe sfidat e hasura gjatë koordinimit me partnerët evropianë lidhur me procesin e fillimit të integrimit të Kosovës në mekanizmat e BE-së.

Përfundimisht, duhet theksuar se problemi ynë në raport me proceset e stërzgjatura integruese nuk qëndron vetëm te mungesa e deklarimit tonë formal kur janë në pyetje diskurset e orientimit proevropian, por ekskluzivisht te hendeku evident ndërmjet ambicies sonë politike për integrim dhe kapacitetit real institucional për ta realizuar atë. Apo, thënë më ndryshe, Kosova mund ta ketë të konsoliduar orientimin dhe synimin e saj evropian në debatet publike politike, por problemi kryesor i saj do të mbetet edhe për një kohë rreth temave që kanë të bëjnë me vështirësitë e akomodimit me standardet, praktikat, kulturën dhe funksionimin e institucioneve të BE-së…

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Tërheqja e Ronaldos nga Portugalia, reagon trajneri Jorge Jesus

0
Trajneri Jorge Jesus ka komentuar vendimin e Cristiano Ronaldos për të mos luajtur më për kombëtaren e Portugalisë, duke zbuluar se kishte tentuar ta...