Nga Valdete Dida – Cenalia
“Gjuha është shpirti i kombit”- Sami Frashëri.
Ka ditë që nuk mbeten vetëm në kalendar. Ka ditë që ruhen në zemër. Mbyllja e vitit shkollor në shkollën shqipe Riverdale, Nju Xhersi ishte njëra prej tyre.
Në atë sallë u dëgjua zëri i një kombi që refuzon të harrohet. U ndje fryma e brezave që sakrifikuan gjithçka për të mos e lënë gjuhën shqipe të humbiste. U pa krenaria e prindërve, përkushtimi i mësuesve dhe lumturia e fëmijëve që po rriten me dy atdhe, por me një zemër shqiptare. Të jetosh larg vendlindjes nuk është e lehtë. Fëmijët tanë rriten mes dy kulturave, dy gjuhëve dhe dy botëve. Pikërisht për këtë arsye, çdo të shtunë në shkollën shqipe në Riverdale, është më shumë se një ditë mësimi, është një takim me rrënjët, me historinë dhe me identitetin.
Një emocion i veçantë ishte programi artistik, i prezantuar me shumë hijeshi nga dy vajza, Brikena Rizvani ish-nxënëse e imja dhe Emma Kasalla nxënëse e klasës sime. Ishte e pamundur të mos ndjeje krenari kur i dëgjoje të flisnin shqip me aq qartësi, elegancë dhe dashuri. Ato ishin prova më e bukur se fara e mbjellë vite më parë ka lulëzuar.
Asgjë nga kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e palodhur të drejtoreshës sonë, Gonxhe Meta. Edhe pse e lindur dhe e rritur në mërgim, ajo ka zgjedhur ta mbajë të ndezur pishtarin e gjuhës shqipe. Me përkushtimin e saj, ajo na kujton se dashuria për atdheun nuk varet nga vendi ku lind, por nga zemra me të cilën e mban gjallë.
Pas çdo nxënësi që lexon bukur shqip qëndron edhe një mësuese. Gra që, pas punës dhe angazhimeve të përditshme, ulen përballë fëmijëve me të njëjtin mision, t’u mësojnë jo vetëm alfabetin, por edhe dashurinë për vendin e të parëve. Këto mësuese nuk japin vetëm mësim. Ato mbjellin kujtesë, identitet dhe krenari.
Momenti i ndarjes së çertifikatave ishte prekës. Në duart e fëmijëve çertifikatat nuk ishin vetëm një copë letër, por në zemrat e prindërve ato kishin peshën e një thesari. Sepse ajo çertifikatë nuk dëshmonte vetëm përfundimin e një viti shkollor. Ajo dëshmonte se një pjesë e trojeve shqiptare ishte ruajtur edhe këtë vit në zemrat e fëmijëve të tyre.
Dhe mes gjithë atyre fytyrave të lumtura, dëgjoje dy fëmijë të vegjël që flisnin bukur. Dua, vetëm tre vjeçe, dhe Drini, katër vjeç, të lindur larg tokës shqiptare, flasin me njëri-tjetrin shqip, natyrshëm dhe bukur. Nuk ka pamje më shpresëdhënëse se sa të shohësh brezin e dytë të emigracionit duke e jetuar gjuhën shqipe si diçka të natyrshme. Ata janë përgjigja më e bukur për të mos lejuar që gjuha shqipe të shuhet në mërgim.
Sot nuk festuam vetëm mbylljen e një viti shkollor, por thesarin më të çmuar që po u lëmë brezave, gjuhën shqipe.
“Nëse humbet gjuhën, humbet kujtesën, nëse ruan gjuhën, ke ruajtur atdheun”. Le të vazhdojmë ta mbrojmë këtë thesar, që brezat që do të vijnë të mos trashëgojnë vetëm mbiemrin shqiptar, por edhe fjalën e bukur shqipe. /GD




