ZVICËR – Qytetarët zviceranë do të votojnë më 29 nëntor për rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), si pjesë e planit për financimin e pensionit të 13-të të Sigurimit të Pleqërisë dhe të të Mbijetuarve (AHV). Propozimi parasheh rritjen e TVSH-së me 0,4 pikë përqindjeje, nga niveli aktual në 8,5 për qind, transmeton 20min.ch. Vendimi vjen pasi në vitin 2023, popullsia zvicerane votoi në favor të pensionit të 13-të të AHV-së. Pagesa e parë e këtij pensioni bëhet këtë vit, ndërsa tani autoritetet kërkojnë të sigurojnë burimet financiare për mbulimin e kostove në rritje.
Si do të ndikojë rritja e TVSH-së te qytetarët?
Nëse propozimi miratohet, rritja e TVSH-së do të ndikojë në çmimet e shumë produkteve dhe shërbimeve. Megjithatë, disa mallra të domosdoshme, si ushqimet, barnat, gazetat dhe produktet e higjienës, do të vazhdojnë të përfitojnë nga norma e reduktuar e TVSH-së. Kostoja do të shpërndahej në të gjithë popullsinë, përfshirë turistët që vizitojnë Zvicrën dhe paguajnë për shërbime si akomodimi. Sipas të dhënave të paraqitura në kuadër të propozimit, pensioni i 13-të i AHV-së kushton rreth katër miliardë franga në vitin 2026. Deri në vitin 2035, shpenzimet vjetore pritet të arrijnë në pesë miliardë franga, kryesisht për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve dhe përshtatjes së pensioneve me zhvillimin e pagave dhe çmimeve. Me rritjen e propozuar të TVSH-së, AHV-ja pritet të përfitojë rreth 1,4 miliardë franga shtesë në vit.
Përkrahësit: Barra financiare ndahet në mënyrë të drejtë
Propozimi mbështetet nga Partia Socialdemokrate (SP), të Gjelbrit, sindikatat, Partia e Qendrës dhe Liberalët e Gjelbër. Përkrahësit argumentojnë se financimi përmes TVSH-së e shpërndan barrën në të gjithë shoqërinë dhe se ruajtja e normës së reduktuar për produktet bazë ndihmon veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta. Bashkëkryetarja e grupit parlamentar të SP-së, Samira Marti, vlerëson se për një person me të ardhura mesatare, kostoja shtesë do të ishte rreth pesë franga në muaj. Sipas kampit pro, marrëveshja përbën një kompromis që mundëson financimin e një pjese të pensionit të 13-të dhe shmang bllokimin e procesit.
Kundërshtarët: Rritja e taksave nuk e zgjidh problemin
Në anën tjetër, kundërshtarët e propozimit, ndër ta Partia Liberale Radikale (FDP), paralajmërojnë se rritja e TVSH-së do të rëndojë buxhetet familjare dhe nuk do të sigurojë financim të mjaftueshëm për pensionin e 13-të. FDP-ja e kundërshton masën me sloganin “Asnjë cent taksa të reja”, duke kërkuar reforma strukturore dhe kursime në shpenzimet federale në vend të rritjes së taksave. Sipas kësaj partie, edhe pas rritjes së propozuar do të mbetet një hendek financiar prej më shumë se tre miliardë frangash në vit për mbulimin e kostove të pensionit të 13-të.
Reforma e ardhshme e AHV-së në fokus
Përtej votimit të 29 nëntorit, Qeveria zvicerane po përgatit edhe reformën e ardhshme të sistemit të pensioneve, të njohur si “AHV2030”. Ministrja e Punëve të Brendshme, Elisabeth Baume-Schneider, synon përmes kësaj reforme të krijojë më shumë stimuj që njerëzit të vazhdojnë të punojnë deri në moshën e pensionimit dhe, në kushte të caktuara, edhe pas saj. Reforma synon të përmirësojë gjendjen financiare të fondit të AHV-së dhe pritet t’i paraqitet Parlamentit në pranverën e vitit 2027. Votimi i 29 nëntorit do të jetë vendimtar për mënyrën se si Zvicra do të financojë pensionin e 13-të të AHV-së, ndërsa debati mes mbështetësve dhe kundërshtarëve përqendrohet te ndarja e kostove, fuqia blerëse e qytetarëve dhe qëndrueshmëria afatgjatë e sistemit pensional, transmton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch










