BallinaKulturaFilharmonia e Kosovës sjell sonte koncertin “Homazh muzikor për Nënë Terezën”

Filharmonia e Kosovës sjell sonte koncertin “Homazh muzikor për Nënë Terezën”

-

PRISHTINË – Filharmonia e Kosovës organizon sonte koncertin “Homazh muzikor për Nënë Terezën”, kushtuar figurës së shquar shqiptare dhe humanistes me famë botërore, Nënë Terezës. Koncerti do të mbahet më 10 tetor, duke filluar nga ora 19:30, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një program të veçantë muzikor të interpretuar nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë. Në këtë ngjarje do të performojnë Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Korit të Operës së Kosovës, nën dirigjimin e dirigjentit Wojciech Czepiel. Në mesin e solistëve që do të ngjiten në skenë janë Joanna Konarzewska në violinë, Adelina Paloja në soprano, Ivana Hoxha në mezzo-soprano, si dhe Matias Xheli dhe Bledar Domi.

Vepra muzikore nga kompozitorë të njohur

Programi i koncertit përfshin krijime të kompozitorëve Krzysztof Penderecki, Fahri Beqiri dhe Karol Szymanowski, duke sjellë një ndërthurje të veprave të rëndësishme të repertorit muzikor. Koncerti do të përmbyllet me veprën “Homagium Matri Teresiae” të kompozitorit shqiptar Mendi Mengjiqi, e cila i kushtohet Nënë Terezës. Përmes këtij koncerti, Filharmonia e Kosovës synon të nderojë figurën e Nënë Terezës, e cila me përkushtimin e saj ndaj humanizmit, dashurisë dhe solidaritetit u bë një simbol i njohur në mbarë botën. Kjo ngjarje artistike pritet të sjellë para publikut të Prishtinës një mbrëmje të veçantë muzikore, duke bashkuar artin dhe kujtesën për një nga figurat më të njohura shqiptare në historinë botërore, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh