Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për pozitën e presidentit të Kosovës. Kandidati konsensual i propozuar nga dy subjektet politike është Bekim Sejdiu. Emri i Sejdiut u bë publik nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit të zhvilluar sot mes përfaqësuesve të dy partive. Abdixhiku deklaroi se negociatat mes VV-së dhe LDK-së kanë nisur më 9 korrik dhe kanë vazhduar në mënyrë intensive, me synimin për të gjetur një zgjidhje politike dhe për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Nga data 9 korrik kemi nisur dhe zhvilluar diskutimet. Kemi qenë të vendosur të gjejmë zgjidhje për të ecur përpara dhe të evitojmë zgjedhjet”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, procesi i negociatave nuk ka qenë i lehtë, por palët kanë zhvilluar diskutime të vazhdueshme dhe shteruese për të arritur një marrëveshje.
“Kemi pasur bisedime të vazhdueshme. Kemi qenë të përkushtuar për një emër konsensual”, u shpreh kryetari i LDK-së.
Gjatë negociatave janë diskutuar disa emra për postin e presidentit, ndërsa në fund palët janë dakorduar për Bekim Sejdiun.
“Janë përmendur shumë emra që kanë dhënë kontribut dhe që kanë vlera demokratike e qytetare. Gjatë diskutimeve tona jemi dakorduar për një emër, Bekim Sejdiu”, deklaroi Abdixhiku.
Marrëveshja mes dy subjekteve vjen në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik dhe sigurimin e një zgjidhjeje konsensuale për kreun e shtetit.
Me këtë dakordim, Bekim Sejdiu pritet të jetë kandidati i përbashkët i VV-së dhe LDK-së për president të Kosovës, transmeton rtk.










