Në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u zhvillua një vizitë institucionale nga bashkëshortja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, znj. Armanda Begaj, dhe bashkëshortja e Presidentit të Republikës së Lituanisë, znj. Diana Nausėdienė.

Gjatë vizitës, zonjat u njohën me koleksionet e ekspozuara të muzeut, si edhe me fondet arkeologjike të Institutit të Arkeologjisë, të cilat përfaqësojnë një pasuri me vlerë të lartë shkencore dhe kulturore dhe ofrojnë dëshmi të rëndësishme mbi zhvillimin e shoqërive njerëzore në territorin shqiptar gjatë mijëvjeçarëve. Interesi i tyre për materialet arkeologjike, si edhe vlerësimet e shprehura për nivelin e ruajtjes dhe dokumentimit të tyre përbëjnë një vlerësim domethënës për punën e institucionit.
Ato u pritën dhe u shoqëruan nga dr. Melsi Labi dhe znj. Gema Kraja, të cilët prezantuan veprimtarinë muzeale dhe kërkimore të institucionit, si edhe pasuritë arkeologjike që ruhen dhe studiohen në kuadër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjatë bashkëbisedimit u diskutuan edhe mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Lituanisë në fushat e arkeologjisë, muzeologjisë dhe kërkimit shkencor.
Në këtë kuadër, u shkëmbyen mendime mbi shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës profesionale, si dhe mbi krijimin e lidhjeve më të ngushta ndërmjet institucioneve kërkimore, muzeale dhe akademike të të dy vendeve. Interesimi i treguar për këto mundësi bashkëpunimi u vlerësua si një nxitje e rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kulturore, shkencore dhe akademike ndërmjet Shqipërisë dhe Lituanisë.
Përshtypjet pozitive të tyre, si edhe interesi i tyre për fondet arkeologjike dhe veprimtarinë shkencore të institucionit dëshmojnë rëndësinë e trashëgimisë kulturore shqiptare si një urë komunikimi, dialogu dhe mirëkuptimi ndërmjet popujve. Në përfundim të vizitës, si shenjë mirënjohjeje dhe kujtim i kësaj vizite të veçantë, secilës prej tyre iu dhurua botimi i Institutit të Arkeologjisë “Recent Archaeological Discoveries in Albania”, si edhe disa suvenire me simbole përfaqësuese të trashëgimisë dhe identitetit kulturor shqiptar.
Muzeu Arkeologjik i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mbetet i përkushtuar në misionin e tij për ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, duke e bërë atë pjesë të dialogut kulturor, shkencor dhe akademik kombëtar e ndërkombëtar, transmeton ASHSH, përcjell helveticALForum.ch.




