Spreitenbach, 08 maj 2026 – Në një atmosferë artistike dhe ndërkulturore, Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, mori pjesë në hapjen zyrtare të ekspozitës artistike “Kunst in Spreitenbach”, e organizuar në rrethinën e Cyrihut- Spreitenbach, një ngjarje që solli bashkë artistë dhe artdashës nga kultura të ndryshme. Siç mëson helveticALForum.ch, në këtë ekspozitë po prezantohen edhe veprat e artistes shqiptare Dorina Ukgjini, e cila me krijimtarinë e saj ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe kritikës artistike. Punimet e saj u vlerësuan për forcën shprehëse, emocionin dhe aftësinë për të komunikuar përtej kufijve gjuhësorë e kulturorë, duke dëshmuar se arti mbetet një gjuhë universale që bashkon njerëzit. Z. Berisha theksoi rëndësinë e përfaqësimit të artistëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare dhe rolin që mërgata shqiptare vazhdon të luajë në promovimin e vlerave kulturore në Zvicër dhe më gjerë.

“Sonte kishim kënaqësinë të marrim pjesë në hapjen zyrtare të ekspozitës artistike ‘Kunst in Spreitenbach’. Në këtë ekspozitë prezantohen veprat e artistes shqiptare Dorina Ukgjini nga St. Gallen. Punimet shquhen me forcën e tyre shprehëse dhe me aftësinë për të folur një gjuhë universale – gjuhën e artit”, është shprehur ai.
Përveç artistes shqiptare, ekspozita solli edhe krijimet e artisteve Stefania Fosanelli Gambarini dhe Els Gassmann, si dhe të artistëve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët përmes stileve dhe qasjeve të ndryshme artistike krijuan një hapësirë të pasur dialogu kulturor dhe estetik. Ngjarja artistike u organizua nën kujdesin e kuratorit Salvatore Mainardi, i cili synoi të ndërtojë një platformë ku arti bashkon kultura, përvoja dhe identitete të ndryshme.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve diplomatikë të Kosovës në aktivitete të tilla kulturore konsiderohet një mbështetje e rëndësishme për artistët shqiptarë në diasporë dhe një dëshmi e përkushtimit institucional për promovimin e kulturës shqiptare jashtë vendit.
Z. Berisha vlerësoi gjithashtu kontributin e vazhdueshëm të mërgatës shqiptare, duke theksuar se komuniteti shqiptar në Zvicër nuk kontribuon vetëm përmes punës dhe angazhimit ekonomik, por edhe përmes krijimtarisë, kulturës dhe talentit artistik që prezantohet denjësisht në arenën ndërkombëtare.

Ekspozita “Kunst in Spreitenbach” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 3 korrik 2026 dhe pritet të vizitohet nga artdashës të shumtë nga Zvicra dhe vende të tjera, transmeton helveticALForum.ch.




