Platforma “Liria ka emër” ka prezantuar nismën qytetare “Kosova po pret”, në kuadër të së cilës më 12 shtator do të organizohet “Marshi për liri” në Prishtinë, në prag të vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në konferencën për media, Eliza Hoxha tha se nisma synon të përcjellë zërin e qytetarëve për drejtësi, dinjitet dhe respekt ndaj historisë së Kosovës.
“Kosova po pret një moment të rëndësishëm. Po pret ditën kur në Hagë do të merret vendimi nga Dhomat e Specializuara për themeluesit dhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tash e gjashtë vjet jemi munduar përmes disa aktiviteteve të jemi pranë tyre, të ngremë shqetësimin tonë dhe kërkesën tonë për gjykim të drejtë… Për këtë arsye, kemi vendosur që më 12 shtator, ditë e shtunë, të organizojmë ‘Marshin për liri’”, tha ajo.
Sipas Hoxhës, marshi synon të bashkojë qytetarët përtej dallimeve politike, gjeografike, kulturore dhe shoqërore, për të shprehur qëndrimin se lufta për liri dhe pavarësi ishte e drejtë.
“Ky marsh synon të bashkojë qytetarët përtej dallimeve politike, gjeografike, kulturore e shoqërore, për të manifestuar në emër të popullit të Kosovës që lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe që historia jonë nuk mund të rishkruhet”, tha Hoxha.
Në kuadër të nismës, aktivitetet do të nisin që nesër, më 22 gusht, me vendosjen e një ekrani LED në Prishtinë, i cili do të shfaqë numërimin mbrapsht deri më 16 shtator, datë kur pritet të mbahet seanca përmbyllëse e procesit në Hagë. “Aktiviteti i parë fillon që nesër, në orën 10:00 në Prishtinë. Do të vendosim një LED countdown apo numërim mbrapsht, i cili do të numërojë kohën deri më 16 shtator nga ora 10:00 e mëngjesit kur pritet kryerja e seancës përmbyllëse të procesit në Hagë. I njëjti aktivitet do të jetë i shtrirë në të gjitha komunat e Kosovës. Çdo orë që kalon do të na kujtojë të gjithëve se Kosova po pret. Do t’u kujtojë edhe të tjerëve jashtë Kosovës. Po pret drejtësi, po pret dinjitet, po pret çlirimtarët të kthehen në shtëpitë e veta”, tha Hoxha.
Në kuadër të nismës janë paralajmëruar edhe “Netët e lirisë”, të cilat do të zhvillohen në shtatë zonat e UÇK-së dhe do t’i kushtohen kujtesës, rrëfimit dhe bashkimit ndërmjet brezave.
Ndërkohë, Ismail Tasholli u ka bërë thirrje të gjitha partive politike dhe liderëve të katër partive më të mëdha në Kosovë që t’i bashkohen “Marshit për liri”.
“I ftojmë të gjitha partitë politike shqiptare dhe liderët e katër partive më të mëdha në vend, zotin Kurti, zotin Hamza, zotin Abdixhiku, zotin Haradinaj, që të bëhen pjesë e Marshit për liri. Kjo ftesë u drejtohet të gjithëve pa përjashtim. I ftojmë këtë ditë të jenë të pranishëm dhe të kenë adresimin e tyre publik në Marshin për liri. Jo për fushata, jo për të ngritur flamuj partiakë, po për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”, tha Tasholli.
Tasholli bëri të ditur se aktivitetet do të shtrihen edhe jashtë Kosovës. Më 16 shtator, kur vëmendja pritet të jetë e përqendruar në Hagë, platforma “Liria ka emër” do të organizojë një aktivitet edhe atje, në bashkëpunim me diasporën shqiptare. “Dhe fushata jonë nuk përfundon më 17 shtator. Më 16 shtator, kur vëmendja do të jetë e përqendruar në Hagë, ‘Liria ka emër’ do të organizojë aktivitet edhe në Hagë, së bashku me diasporën shqiptare. Nga Kosova deri në Hagë mesazhi ynë do të jetë i njëjtë: Kosova po pret. Prandaj, nga nesër në sheshin e Prishtinës fillon numërimi mbrapsht. Nga 16 shtatori, Kosova më nuk do të jetë e njëjtë”, tha ai. Aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të shpallet më 16 shtator, transmeton euronewsal.










