BallinaEKSKLUZIVEVerdikti i Hagës që tronditi një komb të tërë

Verdikti i Hagës që tronditi një komb të tërë

-

HAGË – PRISHTINË — Pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth gjashtë vjet, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Vendimi shënon një nga momentet më të rëndësishme dhe më të ngarkuara emocionalisht në historinë e pasluftës së Kosovës.

Trupi Gjykues i kryesuar nga gjykatësi Charles Smith i ka shpallur fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin për katër pika të krimeve të luftës. Dënimi i njësuar për Thaçin dhe Krasniqin është 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim. Për të tre, në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sipas konstatimeve të lexuara në sallën e gjyqit, të paktën 385 persona janë privuar arbitrarisht nga liria, ndërsa trupi gjykues ka konstatuar edhe raste të trajtimit mizor, torturës dhe vrasjeve të paligjshme.

Për Hashim Thaçin, trupi gjykues ka caktuar veçmas 15 vjet për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, katër vjet për trajtim mizor, 20 vjet për torturë dhe 23 vjet për vrasje të paligjshme. Pas bashkimit të dënimeve, dënimi përfundimtar është përcaktuar në 25 vjet.

Për Jakup Krasniqin janë caktuar të njëjtat dënime individuale dhe po ashtu një dënim i njësuar prej 25 vjetësh.

Për Kadri Veselin, dënimet individuale janë 10 vjet për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, tre vjet për trajtim mizor, 13 vjet për torturë dhe 16 vjet për vrasje të paligjshme. Dënimi i njësuar është 18 vjet burgim.

Selimi – vendimi i veçantë

Rexhep Selimi, njëri nga katër ish-krerët e UÇK-së, gjithashtu është përballur me konstatimet e Trupit Gjykues lidhur me rolin e tij në strukturat e UÇK-së. Sipas gjykatës, ai kishte luajtur rol në krijimin e zonave operative dhe njësive të UÇK-së dhe kishte qenë në dijeni për krime të kryera ndaj personave të konsideruar kundërshtarë.

Megjithatë, verdikti ndaj tij duhet parë veçmas, sipas pikave konkrete të aktgjykimit dhe konstatimeve që lidhen me përgjegjësinë e tij individuale.

“Kjo çështje nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së”

Një nga mesazhet më të rëndësishme të gjykatës gjatë shpalljes së aktgjykimit ishte se procesi nuk kishte për objekt legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo synimin e saj për një Kosovë të pavarur.

Gjykatësi Charles Smith theksoi se çështja kishte të bënte me veprimet dhe përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve për krimet e përfshira në aktakuzë.

Sipas tij, trupi gjykues nuk kishte për detyrë të gjykonte krimet e palëve të tjera gjatë luftës, por vetëm akuzat që ishin paraqitur para kësaj gjykate.

Gjykata: Nuk u vërtetuan krimet kundër njerëzimit

Në një pjesë tjetër të rëndësishme të aktgjykimit, Trupi Gjykues konstatoi se Prokuroria nuk kishte arritur të dëshmonte elementet e nevojshme për krimet kundër njerëzimit.

Sipas Smithit, nuk u vërtetua përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistenca e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër një popullate civile, siç kërkohet për këtë kategori të krimeve. Për këtë arsye, të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për disa nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Konstatimet për Thaçin, Veselin dhe Krasniqin

Sa i përket Hashim Thaçit, Trupi Gjykues ka konstatuar se ai kishte dhënë një “kontribut të qenësishëm” në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe se, sipas gjykatës, kishte pasur rol në strukturat politike dhe vendimmarrëse të UÇK-së. Për Kadri Veselin, gjykata ka konstatuar se ai kishte pasur rol në identifikimin dhe shënjestrimin e personave të konsideruar kundërshtarë dhe se kishte qenë në dijeni për krime të kryera ndaj tyre. Ndërsa për Jakup Krasniqin, Trupi Gjykues ka vlerësuar se ai kishte përdorur komunikata, deklarata politike dhe fjalime publike që, sipas gjykatës, inkurajonin veprime ndaj personave të konsideruar kundërshtarë. Në të gjitha këto raste, konstatimet e gjykatës lidhen me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve dhe jo me përgjegjësinë kolektive të UÇK-së apo të popullit të Kosovës.

96 viktima të vrasjeve të paligjshme

Një nga pjesët më të rënda të aktgjykimit lidhet me konstatimin se, ndërmjet prillit 1998 dhe qershorit 1999, pjesëtarë të UÇK-së kishin kryer veprime që çuan në vrasjen e paligjshme të të paktën 96 personave. Sipas gjykatës, rastet lidhen me ngjarje në 12 komuna të Kosovës dhe në një zonë të Shqipërisë. Trupi Gjykues ka konstatuar gjithashtu raste të trajtimit mizor dhe torturës, duke përfshirë rrahje të rënda, dëmtime fizike dhe pasoja afatgjata për viktimat.

Një ditë e rëndë për Kosovën

Ndërsa vendimi lexohej në Hagë, mijëra kilometra larg, në Prishtinë, qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbeu”. Për shumë prej tyre, dita nuk ishte thjesht një datë në kalendar, por një moment që lidhej drejtpërdrejt me kujtesën e luftës, sakrificën, çlirimin dhe historinë e shtetit të Kosovës. Në Hagë, qytetarë nga Kosova u mblodhën për ta ndjekur shpalljen e aktgjykimit. Në Prishtinë, pritja ishte shndërruar në një moment kolektiv emocionesh, heshtjeje, lutjesh dhe diskutimesh. Për familjet e viktimave të përmendura në aktgjykim, vendimi përfaqëson një moment të veçantë të kërkimit të drejtësisë. Për familjet dhe mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së, ai sjell një tjetër kapitull të dhimbshëm të një historie që vazhdon të peshojë rëndë mbi shoqërinë kosovare. Gjykata ka theksuar se vendimi nuk është gjykim ndaj luftës për pavarësinë e Kosovës, por ndaj përgjegjësisë individuale penale për veprimet që janë shqyrtuar në këtë proces. Pas gjashtë vitesh proces gjyqësor, fjala e fundit e kësaj faze u tha në Hagë. Por për Kosovën, debatet, emocionet dhe pyetjet e ngritura nga kjo çështje duket se do të vazhdojnë gjatë, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Haxhiu pas dënimeve në Hagë: Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e luftës së UÇK-së

0
Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu e ka cilësuar aktgjykimin sotëm të Dhomës së Specializuara në Hagë dhe dënimet e shqiptuara...

ORA E VENDIMIT