Igor Pajač do të jetë arbitri kryesor në ndeshjen vendimtare në Budapest. Kuqezinjve u mjafton edhe një barazim për të ruajtur vendin e parë në Grupin 1 të Ligës C.
UEFA ka përcaktuar ekipin e arbitrave që do të drejtojë përballjen ndërmjet Shqipërisë dhe Bjellorusisë, e cila do të zhvillohet të dielën në Hungari, në fushë asnjanëse. Përgjegjësia për drejtimin e kësaj sfide të rëndësishme i është besuar një ekipi arbitrash nga Kroacia, me Igor Pajač të përzgjedhur si arbitër kryesor. Atij do t’i ndihmojnë në vijat anësore Bojan Zobenica dhe Ivan Mihalj, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Patrik Pavlešić. Në sistemin VAR do të angazhohen Mario Zebec dhe Fran Jović, gjithashtu nga Kroacia. Arbitri kryesor, Igor Pajač, 41 vjeç, është një emër me përvojë në arenën ndërkombëtare. I lindur në Zagreb, ai ka drejtuar gjatë këtij sezoni edhe ndeshje të rëndësishme në kompeticionet evropiane, përfshirë atë të Ligës së Kampionëve ndërmjet Lensit dhe Sportingut të Lisbonës.
Përtej emërimit të arbitrave, vëmendja kryesore e tifozëve shqiptarë është përqendruar te rëndësia e kësaj përballjeje për renditjen përfundimtare të grupit. Shqipëria hyn në këtë takim me dy pikë më shumë se Bjellorusia dhe ka një objektiv të qartë: të ruajë pozitën e parë në Grupin 1 të Ligës C të UEFA Nations League.
Kombëtares shqiptare i mjafton edhe një barazim në Budapest për të siguruar vendin e parë, ndërsa një rezultat pozitiv do të ishte një tjetër hap i rëndësishëm për kuqezinjtë në këtë edicion të garës. Tashmë, gjithçka mbetet në fushën e lojës, ku Shqipëria do të kërkojë të përmbushë objektivin dhe të mbyllë me sukses këtë përballje vendimtare, transmeton rtsh.










