Më 16 shtator 2026, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë zhvilloi veprimtarinë me temë: “Korpusi elektronik i gjuhës shqipe: historia, gjendja e sotme, përdorimi”, e cila u mbajt nga prof. dr. Alexander Rusakov. Veprimtaria u moderua nga përgjegjësi i Departamentit të Leksikologjisë, Terminologjisë dhe Gjuhësisë së Zbatuar, prof. dr. Artur Lama.
Në hapjen e kësaj ligjërate, prof. dr. Artur Lama u shpreh se ky takim shkencor i bashkonte për të njohur dhe diskutuar rreth një teme me interes të veçantë për gjuhën shqipe. Ai theksoi se tema prek një ndër drejtimet më dinamike të gjuhësisë bashkëkohore: krijimin dhe përdorimin e korpuseve elektronike si mjete thelbësore të kërkimit shkencor.
Prof. dr. Lama vuri në dukje se ligjërata vinte si kurorëzim i një pune kërkimore afatgjatë, e konkretizuar në disa botime nismëtare të M. Morozovës, A. Rusakovit, T. Arkhangelskijt, M. Danielit dhe V. Plungianit. Ai shtoi se ky udhëtim, i nisur me punimet e paraqitura më 2011–2012 në Prishtinë dhe Tiranë, “Korpusi i gjuhës shqipe: problemet dhe rezultatet” dhe “Drejtimet kryesore të punës”, kishte vazhduar me studimin aplikativ “Perfekti në shqipen e sotme” (2013) dhe kishte çuar drejt konsolidimit të plotë të Korpusit Kombëtar të Gjuhës Shqipe (Albanian National Corpus – ANC).
Gjithashtu, ai theksoi se projektimi i ANC-së nga albanologë dhe gjuhëtarë të Shën-Petërsburgut dhe Moskës shënoi një kthesë metodologjike në albanologjinë digjitale, pasi deri në vitin 2011 shqipja – një gjuhë me mbi 8 milionë folës – mbetej ndër të paktat gjuhë evropiane pa një korpus elektronik të anotuar. Më tej u theksua se prof. Rusakov kishte kontribuar dukshëm për shpërfaqjen e evolucionit të këtij korpusi dinamik e të hapur, që nga versioni provë prej 750 mijë fjalësh në vitin 2012, te 16.8 milionë fjalë në vitin 2013, e deri te mbi 31 milionë fjalë-përdorime sot në platformën Tsakorpus.
Në mbyllje të fjalës së tij, prof. dr. Lama u shpreh se kjo ligjëratë vinte në një kohë kur Instituti po hidhte hapa drejt digjitalizimit të pasurisë gjuhësore kombëtare. Ai solli në vëmendje se, pas botimit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe të mbështetur mbi një bazë të dhënash prej qindra milionë njësish, po vazhdonin edhe projekte të tjera, si baza afatmesme e të dhënave e IGJL-së, nisma “Gjuha shqipe me kompjuterin” për korpusin e shkruar e të folur, si dhe digjitalizimi i kartotekës dhe i fondit të toponimeve.
Në vijim të veprimtarisë, referuesi prof. dr. Alexander Rusakov u ndal tek gjendja aktuale e korpusit elektronik të gjuhës shqipe, duke sjellë në vëmendje një studim konkret mbi analizën e marrëdhënieve sinonimike dhe përdorimin e lidhëzave ftilluese se dhe që në fjalitë e nënrenditura kundrinore në shqipen moderne, bazuar në materialin e ANC-së dhe të dhënat e ekspeditës në Devoll (2018). Ai theksoi menjëherë se nuk kishte pasur dhe ende nuk kishte asnjë lidhje të vërtetë me gjuhësinë kompjuterike, duke shtuar se praktikisht dinte shumë pak për këtë fushë dhe nuk kishte aftësi në të.
Rusakov shpjegoi se kishte arritur te ideja e krijimit të një korpusi elektronik të shqipes pikërisht si gjuhëtar “tradicional”. Ai kuptoi se, pavarësisht ekzistencës së gramatikave shumë të mira, zgjidhja e problemeve të gramatikës, leksikut dhe historisë së gjuhës pengohej nga mungesa e një korpusi të tillë, ndaj kishte menduar se kishte ardhur koha ta ndryshonin këtë situatë. Në përfundim, ai shtoi se kjo kishte përcaktuar në një masë të madhe karakterin e korpusit të tyre, i cili ishte menduar, para së gjithash, si një mjet për zgjidhjen e problemeve konkrete gjuhësore që u shfaqeshin në pasqyrimin e tyre, dhe jo si një bazë për projekte shumë të gjera.
Veprimtaria u përmbyll me një sesion pyetjesh dhe diskutimesh, gjatë të cilit pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi mundësitë që ofrojnë korpuset elektronike për studimin e gjuhës shqipe, si dhe mbi sfidat që lidhen me pasurimin, përpunimin dhe përdorimin e mëtejshëm të tyre.










