BallinaEKSKLUZIVETre dramaturgë anglezë – Thomas Whincop, William Havard dhe George Lillo, tri...

Tre dramaturgë anglezë – Thomas Whincop, William Havard dhe George Lillo, tri drama për Skenderbeun

Nga Rafael Floqi

William Havard, George Lillo dhe Thomas Whincop shkruan pothuajse njëkohësisht për heroin shqiptar – ngjashmëritë mes veprave ndezën një polemikë për plagjiaturë që u bë objekt studimi edhe në Gjermaninë e vitit 1900. Në Londrën e shekullit XVIII, figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut u bë papritur objekt i një dukurie të pazakontë letrare. Brenda një periudhe shumë të shkurtër, tre dramaturgë anglezë – Thomas Whincop, William Havard dhe George Lillo – shkruan drama me heroin shqiptar në qendër. Por ngjashmëritë mes veprave ngritën një pyetje që do të vazhdonte për dekada: kishte ndodhur plagjiaturë, apo tre autorët kishin përdorur të njëjtat burime letrare për Skënderbeun?

Kjo enigmë u bë objekt i një studimi të posaçëm nga studiuesi gjerman Dr. Hans Rautner, i cili në vitin 1900 botoi në Mynih veprën Georg Lillos The Christian Hero und dessen Rival Plays – Eine Studie zur vergleichenden Literaturgeschichte (“The Christian Hero i George Lillo-s dhe dramat rivale – Një studim për historinë e letërsisë krahasuese”). Ekzistenca dhe karakteri bibliografik i studimit të Rautner-it konfirmohen edhe nga katalogë bibliotekarë, të cilët shënojnë se ai trajton pikërisht dramat e Whincop-it dhe Havard-it krahas veprës së Lillo-s.

Tre dramaturgë anglezë, një Skënderbe

Historia nis me Thomas Whincop. Drama e tij Scanderbeg; or, Love and Liberty nuk u vu në skenë gjatë jetës së autorit dhe u botua pas vdekjes, më 1747. Por Rautner vëren një hollësi vendimtare: Whincop kishte vdekur që në gusht të vitit 1730. Kjo do të thotë se drama e tij për Skënderbeun duhej të ishte shkruar, ose të paktën konceptuar, përpara kësaj date.

Më pas erdhi William Havard me tragjedinë Scanderbeg. Ajo u shfaq në Goodman’s Fields më 15 mars 1733, por pati jetë të shkurtër në skenë. Burimet biografike britanike konfirmojnë se drama u luajt vetëm dy herë dhe se Havard u përball me akuzën se kishte marrë subjektin nga dorëshkrimi i Whincop-it.

I treti ishte dramaturgu i njohur George Lillo, i cili e vendosi heroin shqiptar në qendër të tragjedisë The Christian Hero. Vepra u shfaq në Drury Lane në janar 1735. Edhe burimet biografike për Lillo-n e lidhin drejtpërdrejt këtë dramë me historinë e Skënderbeut dhe evidentojnë afërsinë e saj kronologjike me veprat e Havard-it dhe Whincop-it.

Pra, brenda pak vitesh, tre dramaturgë britanikë kishin zgjedhur pothuajse të njëjtën figurë historike, në një kohë kur Skënderbeu nuk ishte aspak një subjekt i zakonshëm i dramaturgjisë angleze. Akuza: A e vodhën dramën e Whincop-it? Pikërisht këtu filloi skandali letrar. Sipas burimeve që shqyrton Rautner, qarkullonte pretendimi se drama e Whincop-it kishte ekzistuar në dorëshkrim përpara veprave të dy rivalëve. Havard dhe Lillo u akuzuan se kishin pasur mundësi ta shihnin atë dhe se më pas kishin përdorur idetë e saj në dramat e tyre.

Akuza kundër Havard-it ishte aq serioze sa mendohej se kishte ndikuar edhe në pritjen e dobët të Scanderbeg nga publiku. Havard e mohoi kategorikisht se kishte parë dramën rivale, ndërsa menaxheri i teatrit, Giffard, sipas burimeve të cituara nga Rautner, mbështeti versionin e tij. Por polemika më e rëndë lidhej me George Lillo-n. Pas vdekjes së tij u ngrit pretendimi se autori i The Christian Hero kishte marrë idenë pikërisht nga dorëshkrimi i Whincop-it. Burimet historike konfirmojnë se si Lillo, ashtu edhe Havard, u akuzuan se kishin “vjedhur” idenë e dramave të tyre nga Scanderbeg i Whincop-it.

Mbrojtësit e Lillo-s e hodhën poshtë akuzën, duke theksuar se ajo ishte bërë vite pas vdekjes së dramaturgut dhe mbështetej kryesisht në pretendimet e botuesit të veprës së Whincop-it. Për ta, ishte e padrejtë të njollosej reputacioni i një autori që njihej për integritetin e tij dhe që kishte zënë një vend të rëndësishëm në historinë e teatrit anglez.

Rautner: ngjashmëria nuk do të thotë domosdoshmërisht plagjiaturë. Hans Rautner nuk kënaqet me argumentin moral se Lillo ishte një njeri me reputacion të mirë. Ai shtron një pyetje shumë më të rëndësishme për historinë e letërsisë: Po sikur ngjashmëritë të mos vinin nga vjedhja e një autori prej tjetrit, por nga burime të përbashkëta? Pikërisht këtu studimi merr një drejtim interesant. Rautner e zhvendos vëmendjen nga Londra drejt Francës, ku historia e Skënderbeut kishte krijuar prej kohësh një traditë të pasur letrare. Ai përmend autorë si Baudoin, Chevreau, Madame de Ville-Dieu, Mlle de Laroche-Guilhem dhe Chevilly, të cilët kishin trajtuar jetën dhe bëmat e Kastriotit.

Veçanërisht i rëndësishëm ishte romani historiko-galant francez.

Një nga veprat që pati jehonë të veçantë ishte Le Grand Scanderberg e Mlle de Laroche-Guilhem. Vepra kaloi shpejt Kanalin e La Manshit dhe u përkthye në anglisht si The Great Scanderbeg, a Novel, Done out of French. Sipas Rautner-it, ribotimet angleze të viteve 1721 dhe 1729 dëshmojnë se historia romantike e Skënderbeut qarkullonte gjerësisht në Angli pikërisht në prag të shfaqjes së tri dramave. Kjo krijon një shpjegim tjetër të mundshëm për ngjashmëritë.

Havard, Lillo dhe Whincop nuk kishin domosdoshmërisht nevojë të kopjonin njëri-tjetrin. Ata mund të kishin pirë ujë nga i njëjti burim letrar evropian.

Skënderbeu, një hero evropian në Londrën e shekullit XVIII

Rëndësia e studimit të Rautner-it shkon kështu përtej debatit se cili dramaturg kopjoi tjetrin. Ai dëshmon se, më shumë se 250 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, figura e tij vazhdonte të ishte pjesë e imagjinatës kulturore evropiane. Në Francë ai ishte shndërruar në personazh të romaneve historike dhe galante. Në Angli u ngjit në skenën e teatrit si hero tragjik, luftëtar, mbrojtës i lirisë dhe figurë e rezistencës ndaj Perandorisë Osmane.

Edhe studimet moderne vazhdojnë ta veçojnë këtë grup të pazakontë dramash: Scanderbeg i Havard-it, The Christian Hero i Lillo-s dhe Scanderbeg; or, Love and Liberty i Whincop-it u krijuan në një afërsi të jashtëzakonshme kohore, duke ngritur pikërisht pyetjen se përse dramaturgjia britanike e viteve 1730 u interesua kaq shumë për heroin shqiptar.

Plagjiaturë apo një burim i përbashkët?

Kjo është pyetja që Hans Rautner kërkoi të zgjidhte në Mynih në vitin 1900. Akuza historike për plagjiaturë ekzistonte dhe nuk mund të shpërfillej. Havard dhe Lillo u akuzuan realisht se kishin përfituar nga drama e pabotuar e Whincop-it. Por ekzistenca e një tradite të gjerë franceze për Skënderbeun dhe qarkullimi i përkthimeve të saj në Angli krijojnë një shpjegim shumë më kompleks sesa një “vjedhje” e thjeshtë letrare.

Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi më interesant i kësaj historie: ndërsa tre dramaturgët anglezë rivalizonin dhe akuzoheshin për origjinalitetin e veprave të tyre, figura që i bashkonte ishte shqiptari Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Një hero i shekullit XV kishte arritur, afro tre shekuj më vonë, jo vetëm të pushtonte skenën londineze, por edhe të shkaktonte një nga polemikat më interesante letrare rreth veprave angleze kushtuar emrit të tij. /GD

- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kosova midis premtimeve elementare dhe realitetit të hidhur

0
Nga Dashnim HEBIBI Kur mungesa e ujit e dritave bëhet temë elektorale në shekullin XXI Në vend që të flasim për zhvillim ekonomik, inovacion, arsim cilësor...