TIRANË – Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka rrëfyer eksperiencën e tij trevjeçare e gjysmë në krye të kuqezinjve, duke veçuar kualifikimin në Kampionatin Evropian Euro 2024 si një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij. Në një intervistë për Flashscore, trajneri brazilian ka folur për rrugëtimin historik të Shqipërisë, mënyrën se si fitoi besimin e futbollistëve, marrëdhënien me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), si dhe arsyet që çuan në përfundimin e bashkëpunimit në maj të vitit 2026.
“Kualifikimi në Euro 2024 ishte diçka e veçantë”
Sylvinho kujtoi me krenari rrugëtimin e Shqipërisë në fushatën kualifikuese për Euro 2024, ku kuqezinjtë e mbyllën grupin në vendin e parë, përpara Polonisë dhe Çekisë.
“Kam punuar në një Kupë Bote me Brazilin, por si ndihmës trajner. Ishte një eksperiencë shumë e mirë, por në Shqipëri i gjithë projekti dhe përgjegjësia ishin të miat. Kualifikimi ishte diçka e veçantë. Humbëm ndaj Polonisë në ndeshjen e parë dhe më pas nuk humbëm më”, u shpreh braziliani.
Sipas tij, Shqipëria arriti të ndërtojë një skuadër të organizuar, e cila ishte e vështirë për t’u përballuar nga kundërshtarët.
“Ekipet që luanin kundër nesh nuk e kishin aspak të lehtë. Ne ishim shumë të organizuar, luanim mirë dhe e dinim saktësisht se çfarë duhej të bënim në fushë. Pas Kupës së Botës, Kampionati Europian është skena më e madhe e futbollit. Aty dëshiron të jesh”, deklaroi ai.
Në fazën finale të Euro 2024, Shqipëria u përball me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë, duke u eliminuar pas fazës së grupeve. Megjithatë, Sylvinho vlerësoi përvojën e fituar nga skuadra, duke veçuar përballjen me Kroacinë.
“Përfunduam në një grup shumë të vështirë, me Kroacinë, Spanjën dhe Italinë. Megjithatë, e shijuam eksperiencën. Ndeshjen tonë më të mirë e zhvilluam kundër Kroacisë. Ishte një takim që mendonim se duhej ta fitonim”, tregoi ai.
Puna dhe besimi, çelësi i suksesit
Një nga sfidat kryesore për trajnerin brazilian ishte drejtimi i një kombëtareje në një vend, gjuhën e të cilit nuk e njihte. Megjithatë, ai theksoi se përgatitja taktike, puna e përditshme dhe marrëdhënia me lojtarët ishin elementet që ndihmuan në ndërtimin e besimit.
Sipas Sylvinhos, trajneri duhet të krijojë një ide të qartë loje dhe t’u dëshmojë futbollistëve se ajo mund të zbatohet me sukses në fushë.
“Futbollistët janë ata që e bëjnë punën të funksionojë. Si trajner, duhet t’u japësh një ide, por ata duhet ta shohin atë të zbatohet në fushë. Nëse u tregon se si të luajnë dhe skuadra krijon raste e shkon pranë golit, atëherë fillojnë të besojnë se ajo ide funksionon”, theksoi ai.
Ish-trajneri i kuqezinjve tregoi se puna e stafit teknik ishte intensive, veçanërisht në prag të ndeshjeve, kur analizat dhe përgatitjet mund të zgjasnin deri në 15-16 orë në ditë.
Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e bashkëpunëtorëve të tij, Dorivës dhe Pablo Zabaletës, me të cilët ndërtoi një marrëdhënie të fortë profesionale dhe njerëzore gjatë qëndrimit në Shqipëri.
“Në Tiranë ndihesha si në shtëpinë time”
Përtej futbollit, Sylvinho foli edhe për marrëdhëniet njerëzore që krijoi në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e komunikimit dhe afërsisë me njerëzit.
“Ne mbërritëm në një vend ku nuk e njihnim gjuhën. Fatmirësisht, shumë njerëz flisnin italisht dhe eksperienca ime me Roberto Mancinin te Interi më kishte ndihmuar edhe me gjuhën”, tregoi ai.
Braziliani tha se kultura dhe karakteri i përbashkët latin e ndihmuan të përshtatej më lehtë me ambientin shqiptar.
Ai kujtoi edhe një episod në ambientet e FSHF-së, kur kishte ftuar një punonjës të sigurisë të ulej me të për të pirë kafe, duke theksuar se gjeste të tilla të vogla ndihmojnë në krijimin e marrëdhënieve të mira.
Sylvinho zbuloi se presidenti i FSHF-së, Armando Duka, kishte këmbëngulur që ai të jetonte në Tiranë, në mënyrë që të ishte pranë ekipit dhe federatës.
“Kur lojtarët më pyesnin nëse ndihesha mirë në Tiranë, u përgjigjesha se isha në shtëpinë time. Nuk isha në Brazil, por jetoja mirë me bashkëshorten time”, u shpreh ai.
Duke folur për lidhjen e krijuar me vendin, trajneri brazilian dha edhe një mesazh domethënës: “Marrëdhënia jonë me federatën dhe me Shqipërinë do të jetë e përjetshme”.
Pse u nda nga Kombëtarja shqiptare?
Sylvinho u largua nga drejtimi i Shqipërisë në maj të vitit 2026. Në intervistën e tij, ai sqaroi se përfundimi i bashkëpunimit nuk erdhi si pasojë e ndonjë konflikti me drejtuesit e federatës, por pas bindjes së përbashkët se një cikël kishte përfunduar.
“Ne kishim folur më parë me presidentin dhe ndienim se ishte fundi i një cikli. Federata ishte rritur shumë, edhe ne ishim rritur shumë dhe erdhi një moment kur të dyja palët menduan se nuk kishte më shumë për të shtuar”, deklaroi ai.
Sylvinho vlerësoi marrëdhënien me Armand Dukën, duke theksuar se presidenti i federatës e njihte nga afër punën dhe përkushtimin e stafit teknik. Ai kujtoi edhe një rast kur drejtuesit e federatës kërkuan një takim të shtunën, ndërsa stafi pranoi të qëndronte edhe katër orë të tjera për të diskutuar çështje të ndryshme. Për brazilianin, ky episod pasqyronte marrëdhënien e ndërtuar gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit.
Arsenali, një nga referencat taktike të Shqipërisë
Gjatë intervistës, Sylvinho foli edhe për përgatitjet taktike të Kombëtares shqiptare, duke zbuluar se stafi analizonte vazhdimisht skuadra të ndryshme evropiane, përfshirë Anglinë dhe Spanjën. Një nga referencat e tyre ishte Arsenali i drejtuar nga Mikel Arteta, për shkak të elementeve taktike që përputheshin me idetë e lojës që synonte të aplikonte Shqipëria.
“Ne studionim shumë skuadra, përfshirë Anglinë dhe Spanjën. Arsenali ishte një nga referencat tona, sepse kishte shumë elemente që mund t’i merrnim nga mënyra e tyre e lojës. Stili i tyre ishte mjaft i afërt me atë që kërkonim ne”, shpjegoi ai.
Sylvinho theksoi se suksesi i një skuadre nuk varet vetëm nga trajneri, por nga funksionimi i të gjithë strukturës, duke përfshirë drejtuesit, stafin teknik dhe futbollistët. Në fund të intervistës, rrëfimi i tij riktheu në vëmendje periudhën gjatë së cilës Shqipëria siguroi pjesëmarrjen në Euro 2024, një arritje që mbetet ndër momentet më të rëndësishme të futbollit shqiptar në vitet e fundit, transmeton kjone.










