NJU JORK – Ambasadori i Republikës së Kosovës, Blerim Reka, ka pritur në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork përfaqësues të Universitetit të Qytetit të Nju Jorkut (CUNY), me të cilët ka diskutuar mundësitë e bashkëpunimit akademik dhe kërkimor në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Në takim morën pjesë Dr. Eli Karetny, zëvendësdrejtor i Institutit Ralph Bunche dhe drejtor i Projektit për Studimet mbi Fenomenet Anormale të Paidentifikuara (UAP) dhe Sigurinë Ndërkombëtare, si dhe Joel Kady, themelues i organizatës Future Folklore, konsulent i teknologjisë dhe bashkëthemelues i Grupit të Punës për Angazhimin në OKB lidhur me UAP, pranë Institutit Ralph Bunche të CUNY-t.
Gjatë takimit u shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit me Institutin Ralph Bunche për Studime Ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të angazhimit të tij në çështjet që lidhen me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimit të projekteve të përbashkëta kërkimore dhe akademike, të cilat mund të kontribuojnë në avancimin e argumenteve dhe përpjekjeve diplomatike të Kosovës për anëtarësim në OKB.
Bashkëpunimi me institucionet akademike dhe kërkimore ndërkombëtare shihet si një mundësi për të forcuar dimensionin diplomatik të Kosovës, përmes studimeve, analizave dhe angazhimit në forume ndërkombëtare.
Përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara mbeten një prej objektivave të rëndësishëm të diplomacisë së vendit, ndërsa bashkëpunimet me universitete dhe institute të specializuara mund të ndihmojnë në promovimin e argumenteve të Kosovës në arenën ndërkombëtare./GD










