PRISHTINË – Në 27-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputeti i këtij subjekti politik, Enver Hoxhaj, ka uruar anëtarët dhe aktivistët e partisë, duke kujtuar njëkohësisht ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxhaj ka theksuar rolin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës dhe të PDK-së në procesin e shtetndërtimit, duke vlerësuar rrugëtimin e përbashkët politik dhe historik me bashkëpunëtorët e tij.
“Sot, mendjen dhe urimin e kam edhe në Hagë, te Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi. Me ta kemi punuar për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të njohur në botë. Jam krenar për rrugën që kemi bërë bashkë dhe qëndroj pranë tyre me të njëjtën bindje”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se historia e Kosovës dhe kontributi i UÇK-së në çlirimin e vendit, sipas tij, mbeten pjesë e kujtesës historike të popullit shqiptar.
“UÇK-ja solli çlirimin, PDK-ja i priu shtetformimit. Këtë histori e kemi jetuar dhe nuk e rishkruan asnjë gjykatë!”, ka deklaruar deputeti i PDK-së, duke e përmbyllur mesazhin me urimin për përvjetorin e partisë dhe për Kosovën.
Hoxhaj: Kjo ditë lidhet me njerëzit me të cilët ndamë përgjegjësitë
Në mesazhin e tij, Hoxhaj ka vënë në pah edhe kontributin e bashkëpunëtorëve, aktivistëve dhe familjeve që, sipas tij, kanë qëndruar pranë partisë gjatë rrugëtimit të saj politik.
Ai ka theksuar se përvjetori nuk përfaqëson vetëm një datë të themelimit, por edhe kujtimet dhe përvojat e përbashkëta me njerëzit që kanë punuar për projektin politik të PDK-së.
“Për mua, kjo ditë lidhet me njerëz me të cilët kam ndarë përgjegjësi, beteja politike dhe besimin se Kosova do të bëhet shtet. Me bashkëpunëtorë e miq, me aktivistë që nuk u lodhën kurrë dhe me familje që na besuan edhe në ditët më të vështira. Urime secilit prej jush!”, ka përfunduar Hoxhaj.
Partia Demokratike e Kosovës u themelua në vitin 1999 dhe është një nga subjektet kryesore politike në Kosovë, me rol të rëndësishëm në zhvillimet politike të vendit pas luftës dhe në procesin e ndërtimit të institucioneve shtetërore./BS










