POSTIMET E FUNDIT

SUKSESI I EDICIONIT TË III-të TË ÇMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS NË LETËRSI “G. Belli – F. Lami”, (ROMË, ITALI)

Më 25 qershor 2026, në Universitetin Guglielmo Marconi të Romës u zhvillua edicioni i tretë i Çmimit Ndërkombëtar të Ekselencës në Letërsi “G. Belli – F. Lami”, i organizuar nga Akademia Tiberina (e regjistruar në OKB) në bashkëpunim me UniMarconi.

Veprimtaria e drejtuar nga prof. Antonietta Micali, shënoi një pjesëmarrje të rëndësishme të personaliteteve nga bota e kulturës, universitetit, gazetarisë, artit dhe spektaklit, duke u konfirmuar si një ngjarje e rëndësishme kushtuar promovimit të kulturës, meritës dhe ekselencës.

Veprimtaria u hap me përshëndetjet institucionale të Rektorit të Universitetit Guglielmo Marconi, prof. Marco Abate, të Presidentit të Akademisë Tiberina, Kalorës Dr. Franco Antonio Pinardi, të Zv. drejtorit të Përgjithshëm të Universitetit, Dr. Marco Belli, si edhe të Presidentit të Akademisë Kulturore Ndërkombëtare Cartagine 2.0, Dr. Alessandro della Posta.

Ndër momentet më domethënëse të ditës u dallua ndarja e Çmimit të Karrierës “Guglielmo Marconi” Shkëlqesisë së Tij Princi Guglielmo Giovannelli Marconi, nipi i laureatit të Çmimit Nobel Guglielmo Marconi, Dr. Laura Mazza dhe Claudia Geromel Levi Montalcini, Zv. Presidente Ekzekutive e Fondacionit Levi Montalcini.

Gjatë ceremonisë u ndanë gjithashtu Çmimi i Presidencës, Çmimi për Kulturën “Guglielmo Marconi”, Çmimi Guglielmo Marconi për Gazetari dhe Komunikim, si edhe Çmimi për Kinemanë, Televizionin dhe Muzikën. Midis fituesve ishin prof. Tommaso Valentini, prof. Anna Baldazzi, Susanna Musetti, drejtori i gazetës La Repubblica, Mario Orfeo, zëvendëskryeredaktori Dr. Lorenzo D’Albergo, drejtori i gazetës Il Messaggero, Roberto Napolitano, Tina Berenato, eksperte e komunikimit dhe marketingut, kuratore grafike e revistës së njohur Il Gambero Rosso, regjisori Massimiliano Terzo, aktorët Patrizio Pelizzi dhe Giorgio Biavati, regjisori dhe kompozitori Stefano Reali, drejtori i Radio TV Lombardia, Gian Luca Gianpiglia, si edhe pianisti me famë ndërkombëtare Matteo Buonanoce.

Emocione të veçanta shoqëruan edhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e kategorive Poezi, Narrativë, Eseistikë dhe Libra, ku u vlerësuan autorë nga e gjithë Italia dhe nga vende të ndryshme të botës, duke konfirmuar prestigjin ndërkombëtar që ky çmim ka arritur tashmë. Ndër ta, u vlerësua edhe poeti shqiptar Hekuran Halili i cili u vlerësua me çmimin prestigjioz për poezinë “Vargje të muzgëta” e përkthyer në italisht nga Angela Kosta.

Edicioni i tretë i Çmimit “G. Belli – F. Lami” konfirmoi edhe një herë vlerën e kulturës si instrument dialogu, zhvillimi dhe promovimi të talentit, duke forcuar lidhjet ndërmjet institucioneve, botës akademike dhe shoqërisë civile.

Akademia Tiberina dhe Komiteti Organizator shprehin falënderimet e tyre të sinqerta për të gjithë të ftuarit, anëtarët e jurisë, fituesit, autorët dhe publikun e pranishëm, duke rinovuar ftesën për edicionin e katërt të Çmimit Ndërkombëtar të Ekselencës në Letërsi “G. Belli – F. Lami”.

(Nga Angela Kosta – Kryetare e Zyrës së Shtypit: Akademia Tiberina – Itali)

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB