Universiteti i Evropës Juglindore ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme në rangimin më të fundit botëror të universiteteve, të publikuar nga platforma ndërkombëtare Webometrics në fund të këtij muaji. Universiteti ka avancuar për 237 vende, duke u pozicionuar si institucioni i tretë më i mirë në Maqedoninë e Veriut.

Rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, e vlerësoi këtë sukses si një arritje të rëndësishme për universitetin:
“Duke pasur parasysh madhësinë e Universitetit, numrin e stafit të angazhuar dhe numrin e fakulteteve, krahasuar me universitetet e tjera, ngjitja lart në këtë rangim është një sukses mjaft domethënës për Universitetin tonë.”
Ky përmirësim i ndjeshëm është rezultat i progresit të Universitetit sipas të gjithë treguesve të vlerësimit, përfshirë prezencën dhe vizibilitetin në platforma akademike, numrin e citimeve dhe publikimin e punimeve shkencore nga stafi akademik.
Kjo arritje e konfirmon edhe më tej përkushtimin e UEJL-së për cilësi akademike dhe avancimin e kërkimit shkencor, duke e pozicionuar atë si një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në rajon.
Linku i lajmit: https://www.seeu.edu.mk/sq/information/news-events?id=2837