Fotoreportazh: Gjenerata e 28-të e LAPSH-it në Cyrih mori dëftesat e përfundimit të vitit shkollor 2024/2025
„Shkolla shqipe në mërgatë është më shumë se një institucion mësimor — është një urë që na lidh me atdheun, është një mburojë e identitetit tonë kombëtar në një botë që ndryshon çdo ditë. Të dashur nxënës, sot po merrni një diplomë, por ajo që keni fituar është shumë më shumë se një dokument. Ju keni fituar gjuhën e zemrës suaj, keni mësuar historinë e kombit dhe kulturën e një populli të lashtë e krenar“, tha ndër të tjera, z.Berisha.

Përgatiti: Dashnim HEBIBI
Foto: Lulzim Hasi
Rümlang, 05 korrik 2025 – Para pak orësh në Rümlang të Cyrihut, në diskotekën Rinora 4, u mbajt një manifestim festiv, i organizuar në mënyrë modeste por tejet domethënëse – ashtu siç është në thelb i gjithë stafi i LAPSH-it për Cyrih.

Në këtë organizim morën pjesë shumë prindër, nxënës, dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, përfshirë personalitete si z. Vigan Berisha, shef i misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Hamzë Morina, ish-kryetar i LAPSH-it dhe veteran i arsimit, si dhe z. PhD. Dashnim Hebibi nga qendra mediale sam24.info. I pranishëm ishte edhe Dr. Xhevat Hasani, i cili së bashku me bashkëshorten e tij Dashurijen, kishte botuar librin “Dymbëdhjetë legjenda shqiptare” në shqip dhe gjermanisht.

Në hyrje, të pranishmit i përshëndetën edhe një nga pronarët e diskotekës Rinora 4, z. Habib Leci, i cili tradicionalisht ka qenë përkrahës i shkollës shqipe në Cyrih. Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për kantonin Cyrih, së bashku me stafin e tij, pritën nxënësit, prindërit dhe mysafirët, duke u siguruar që ambienti të ishte i freskët dhe mikpritës, pavarësisht temperaturave të larta jashtë.

Ceremonia nisi në orën 14:30 me një moderim të shkëlqyeshëm nga vetë Prof. Ulaj, i cili përshëndeti të pranishmit me fjalë të ngrohta. Dëftesat iu ndanë 22 nxënësve që përfunduan me sukses mësimet në gjuhën shqipe – një moment i veçantë që simbolizon jo vetëm përmbylljen e një kapitulli mësimor, por edhe forcimin e rrënjëve gjuhësore dhe kulturore të fëmijëve shqiptarë në diasporë.

Fjala e z. Vigan Berisha – Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih
“Është një kënaqësi e veçantë për mua që sot ndodhem mes jush në këtë ditë të shënuar – diplomimin e gjeneratës së 28-të të nxënësve të shkollës shqipe në kantonin e Cyrihut.
Të nderuar të pranishëm,
Për mua, arsimi nuk është një temë që e ndjek nga pozita institucionale – është pjesë e jetës sime personale. Jam biri i një mësuesi dhe jam rritur me dashurinë për gjuhën dhe për dijen.
Në shtëpinë time, respekti për mësuesin ka qenë i pakushtëzuar – siç është edhe në zemrën e çdo shqiptari që e çmon rrënjën e vet.
E ku ka rrënjë më të fortë se gjuha amtare?
Shkolla shqipe në mërgatë është më shumë se një institucion mësimor — është një urë që na lidh me atdheun, është një mburojë e identitetit tonë kombëtar në një botë që ndryshon çdo ditë.
Të dashur nxënës,
Sot po merrni një diplomë, por ajo që keni fituar është shumë më shumë se një dokument. Ju keni fituar gjuhën e zemrës suaj, keni mësuar historinë e kombit dhe kulturën e një populli të lashtë e krenar.

Ju përgëzoj për këtë arritje dhe ju inkurajoj ta ruani këtë thesar gjatë gjithë jetës suaj.
Faleminderit nga zemra mësuesve tuaj, që me përkushtim e pasion po bartin një mision kaq të madh e fisnik.
Faleminderit edhe prindërve, që kanë zgjedhur të mbështesin fëmijët e tyre në këtë rrugëtim identitar.
Si përfaqësues i Republikës së Kosovës në Zvicër, dua t’ju them se ju jeni pasqyra më e mirë e mërgatës sonë: të organizuar, të arsimuar dhe krenarë për prejardhjen tuaj.
Urime nga zemra për këtë sukses! Uroj që rruga juaj drejt dijes të mos ndalet kurrë! Faleminderit!”
Fjala e z. Berisha u mirëprit me duartrokitje të forta nga të gjithë të pranishmit.
Fjala e PhD. Dashnim Hebibi – Anëtar Nderi i LAPSH-it në Cyrih
“Shumë i çmuar, Prof. Naser Ulaj,
Të nderuar mësues, prindër dhe nxënës,
I respektuar z. Berisha, z.Morina dhe miq të shkollës shqipe,
Kam përgatitur vetëm disa fjalë të zemrës për të mos u zgjatur, por për të shprehur mirënjohjen dhe urimin tim për këtë ditë të veçantë.

Me gjithë shpirt, sot dhurova nga një libër për secilin nxënës që po diplomon – dy përmbledhje poetike që i kam botuar para një muaji. Ky dhuratë është një kujtim modest për rrugëtimin e tyre me gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë. Urime për të gjithë nxënësit që përfunduan me sukses shkollën plotësuese shqipe. Urime edhe mësuesve dhe kolektivit të LAPSH-it për punën e palodhshme ndër vite.
Ndonëse përkushtimi im ndaj LAPSH-it ka qenë i gjatë – më shumë se 25 vjet në Zvicër – unë gjithmonë kam kontribuar për misionin, jo për individët. Kam ardhur nga Fakulteti i Gazetarisë në Tiranë dhe kam ndjekur rrugën akademike me titujt magjistër dhe doktor në shkenca politike, me mbi 30 vepra të botuara dhe 31 vjet përvojë në gazetari, gjithmonë me theks në çështjet e mërgatës. Kontributi im ka kaluar përtej Zvicrës – në Gjermani, Belgjikë, SHBA.

Ata që kanë punuar pa interesa të dyta, por vetëm për LAPSH-in, meritojnë mirënjohjen tonë. Ata që bëjnë zhurmë, le të reflektojnë.
Mos u ndalni përballë fjalëve të kota. Rrini të përqendruar në qëllimin tuaj. Misioni ynë është i pastër – dhe dielli nuk mund të ndotet, edhe kur ndriçon në vendet më të errëta.
Le të ruajmë gjuhën shqipe si thesarin më të çmuar. Mësuesit tanë janë heronjtë e heshtur që mbajnë gjallë këtë mision kombëtar.
Të dashur të rinj, mos u ndalni! Kur fjala juaj shqipe rrëshqet në buzë, aty është historia, gjaku dhe kujtesa.
Gjuha është shtëpia jonë – edhe kur jemi larg atdheut.”

Në vazhdim, me një fjalë rasti u paraqit edhe z. Xhevat Hasani, i cili dhuroi nga një libër për çdo nxënës. Ai shprehu dëshirën që nxënësit të mos e harrojnë kurrë gjuhën shqipe. Z. Nexhat Maloku, ish-kryetar i LAPSH-it dhe veteran i arsimit, përmbylli punën e tij shumëvjeçare si mësues me një fjalim emocional dhe një letër të lexuar nga një nxënëse.

Prof.Hamzë Morina – Veteran i Arsimit dhe Ish-Kryetar i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut
Pas ndarjes së dëftesave dhe fjalëve përshëndetëse, me shumë emocion z. Hamzë Morina, një ndër figurat më të nderuara dhe të respektuara të LAPSH-it në mërgatë, një veteran i arsimit me dekada përvojë na tha ndër të tjera për sam24.info: “Jam thellësisht i emocionuar që sot ndodhem mes jush, në këtë moment kaq të bukur dhe kuptimplotë. Këto fytyra të buzëqeshura të nxënësve më kthejnë pas në kohë – kur edhe unë si mësues, për dekada me radhë, ndava dëftesat me dashuri dhe përkushtim për gjuhën shqipe.
Puna e mësuesit është e veçantë – një thirrje shpirtërore që nuk njeh lodhje, por që të bën të rinovohesh çdo vit me buzëqeshjet e nxënësve.
Nëse doni të mos plakesh nga jeta, atëherë merre rrugën e mësimdhënies – sepse çdo brez që formon, të bën më të ri në shpirt.

LAPSH-i – është shtëpia e gjuhës shqipe në mërgatë, është gardiani që ruan shkollën plotësuese shqiptare, duke mbajtur të gjallë kulturën dhe identitetin tonë në tokë të huaj.
Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për bashkim, për bashkëpunim, për përkushtim të sinqertë pa ndasi. Shkolla shqipe nuk është vetëm për fëmijët – është për të gjithë ne. Ajo është muri i fundit i mbrojtjes së identitetit kombëtar. Nëse rrëzohet ai mur, humbim më shumë se një gjuhë – humbim vetveten.
Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë mësuesit që po e mbajnë këtë mision gjallë. Po ashtu një falënderim të madh për prindërit që i sjellin fëmijët në këtë shkollë. Ju lutem, mos ndalni – mos e lëshoni dorën e gjuhës shqipe, sepse ajo është dora e kombit tonë. Unë do të vazhdoj të jem gjithmonë në krah të LAPSH-it dhe të shkollës shqipe, qoftë me këshillë, me fjalë apo me zemër.”

Znj. Teuta Hajzeraj përshëndeti të pranishmit duke nxitur krenarinë për mësimin e gjuhës amtare:
“Ku ka më mirë se të shkoni në atdhe dhe të flisni me familjarët tuaj shqip, e jo me ndonjë përkthyes?”
Ajo rikujtoi ditën e saj të parë në Zvicër në vitin 1995, kur kishte ardhur me “një çantë plot shpresë”, duke e cilësuar gjuhën shqipe jo thjesht si mjet komunikimi, por si kujtesë identitare.

Në fund të manifestimit, u ndanë mirënjohje dhe dhurata për z. Nexhat Maloku, si dhe për z. Habib Leci në emër të Rinora 4, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj LAPSH-it. Ai u nderua me një t-shirt simbolik, një medalje dhe mirënjohje për sponsorizimin e turnirit të futbollit të LAPSH-it në Cyrih.

Prof. Naser Ulaj, në fjalën e tij përmbyllëse, falënderoi të gjithë të pranishmit dhe theksoi se LAPSH-Cyrih do të vazhdojë të jetë unik, i përkushtuar dhe me vizion të qartë për ruajtjen e historisë dhe vlerave të shkollës shqipe në diasporë. Me shpirt ju falënderoj të gjtihë stafin e LAPSH-it për Cyrih, ne jemi një familje.

“Mirupafshim dhe suksese! Pushime të mbara për të gjithë!” – ishin fjalët përmbyllëse të manifestimit që përfundoi me fotografi kujtimi, këngë, valle, recitime dhe ushqime tradicionale shqiptare.
