Siç njofton helveticALForum.ch, Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ermal Dredha, mori pjesë në aktivitetin “Albanian Startups Diaspora Roadshow”, një iniciativë e rëndësishme e organizuar në Cyrih të Zvicrës nga Startup Albania dhe projekti EU4Innovation, në bashkëpunim me GIZ Albania. Aktiviteti kishte në fokus forcimin e bashkëpunimit ndërmjet startup-eve shqiptare dhe profesionistëve, investitorëve e sipërmarrësve të diasporës shqiptare në Zvicër. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptar në Zvicër, sipërmarrës të rinj, ekspertë të teknologjisë dhe inovacionit, si dhe aktorë të rëndësishëm të ekosistemit të startup-eve shqiptare. Takimi u konsiderua si një mundësi konkrete për krijimin e lidhjeve të reja profesionale dhe për shkëmbimin e eksperiencave mes diasporës dhe sipërmarrjes inovative në Shqipëri.
Gjatë panelit të diskutimit, Ambasadori Dredha ndau skenën me Drejtorin e Startup Albania, Arjan Ymeri, eksperten e biznesit dhe teknologjisë Eniada Halebi, e cila operon mes Zvicrës dhe Shqipërisë, si dhe Lirim Krasniqi, organizatë e njohur për angazhimin e saj prej më shumë se një dekade në ndërlidhjen e diasporës shqiptare me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në rajon. Diskutimet u përqendruan te sfidat dhe potenciali i ekosistemit shqiptar të inovacionit, rëndësia e transferimit të njohurive dhe eksperiencës nga diaspora, si dhe krijimi i urave të qëndrueshme të bashkëpunimit mes profesionistëve shqiptarë jashtë vendit dhe sipërmarrësve të rinj në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Ambasadori Dredha vuri theksin te roli i rëndësishëm që diaspora shqiptare në Zvicër mund të luajë në mbështetjen e startup-eve dhe nismave inovative në Shqipëri. Ai theksoi se qeveria shqiptare po punon për krijimin e një klime sa më mbështetëse për të rinjtë dhe sipërmarrësit, përmes politikave incentivuese, mbështetjes financiare dhe lehtësimit të bashkëpunimeve strategjike. Sipas Ambasadorit, Shqipëria po synon të ndërtojë një ekosistem modern inovacioni, ku të rinjtë shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, të kenë mundësi konkrete për të zhvilluar idetë e tyre dhe për t’i kthyer ato në projekte të suksesshme biznesi. Një moment i rëndësishëm i aktivitetit ishte prezantimi i katër startup-eve shqiptare të përzgjedhura si ndër më inovativet në vend. Projektet e prezantuara operonin në fusha me potencial të lartë zhvillimi, si mjekësia moderne, bujqësia inteligjente, riciklimi i qelqit dhe siguria kibernetike në sistemin bankar. Prezantimet tërhoqën interesin e pjesëmarrësve dhe u panë si shembuj konkretë të potencialit që kanë të rinjtë shqiptarë në sektorin e inovacionit dhe teknologjisë.
Takimi në Cyrih u vlerësua si një platformë e rëndësishme për afrimin e talenteve shqiptare në diasporë me mundësitë që ofron Shqipëria në fushën e sipërmarrjes dhe teknologjisë. Organizatorët theksuan se nisma të tilla synojnë të krijojnë një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunimi, ku ekspertiza, investimet dhe idetë inovative të diasporës të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të Shqipërisë. Në përfundim të aktivitetit, Ambasadori Dredha përcolli një mesazh inkurajues për të rinjtë shqiptarë në diasporë, duke nënvizuar se Shqipëria mbetet e hapur për çdo ide dhe projekt inovativ që ndihmon zhvillimin e vendit dhe forcimin e lidhjeve me komunitetin shqiptar jashtë atdheut.
“Shqipëria i pret krahëhapur gjithë idetë inovative nga të rinjtë në diasporë, si një aset i patjetërsueshëm që ecën me hapin e kohës”, u shpreh Ambasadori Dredha, transmeton helveticALForum.ch.




