/ Intervistoi: Dashnim HEBIBI /
Intervistë ekskluzive me z. Ilir Bytyqi, Kryetar i ShKA “Ilirët” në Lozanë
“Gjatë këtyre 30 viteve kemi dhënë, përafërsisht, mbi 450 programe, festa shumëkulturore,festa kombëtare, festa shtetërore, përvjetore të deshmorëve tanë, por edhe koncerte inkurajuese për ti bërë ballë luftës së fundit. Qe më se 30 vjet, anëtarët e ‘Ilirët’ kanë vënë në dukje në muzikë pasurinë e multikulturalitetit të shoqërisë , të asaj zvicerane dhe aktivitete kulturore. Anëtari më i ri është 7 vjeç, ndërsa më i vjetri është mbi 70 vjeç. Kjo tregon që ShKA „Ilirët“ është një familje ku brezat bashkohen për një qëllim të përbashkët”, na tha ndër të tjera z.Bytyqi.
Përshëndetje z. Bytyqi. Së pari ju uroj datëlindjen e 30-të të SHKA „Ilirët“! Edhe shumë datëlindje të tjera. Ju kujtohet dita e parë në ShKA „Ilirët“?
Falemnderit shumë për urimet dhe për interesimin që tregoni për punën tonë! Dita e parë në ShKA „Ilirët“ ka qenë një moment i paharrueshëm. Ishte një nismë modeste, por me qëllime të mëdha. Filluam me disa entuziastë të kulturës shqiptare këtu në Lozanë, të cilët e kishin dashurinë për atdheun dhe traditat në zemër. Ishim të vetëdishëm për sfidat, por edhe të motivuar nga vizioni për ta ruajtur kulturën dhe gjuhën tonë.
Sa anëtarë i ka shoqëria, në përgjithësi?
Aktualisht, ShKA „Ilirët“ ka mbi 70 anëtarë aktivë, duke përfshirë këngëtarë, valltarë, instrumentistë dhe mbështetës të kulturës shqiptare. Por, gjatë këtyre viteve, kanë qenë qindra njerëz që kanë kontribuar dhe kanë qenë pjesë e kësaj shoqërie.
Ju kujtohet sa programe i keni dhënë deri më tash?
Gjatë këtyre 30 viteve kemi dhënë, përafërsisht, mbi 450 programe, festa shumëkulturore,festa kombëtare, festa shtetërore, përvjetore të deshmorëve tanë, por edhe koncerte inkurajuese për ti bërë ballë luftës së fundit. Qe më se 30 vjet, anëtarët e ‘Ilirët’ kanë vënë në dukje në muzikë pasurinë e multikulturalitetit të shoqërisë , të asaj zvicerane dhe aktivitete kulturore. Kemi performuar në festivale, organizime lokale, evente kombëtare dhe ndërkombëtare, gjithmonë duke e prezantuar kulturën shqiptare me krenari.
Si jeni pritur nga zviceranët?
Zviceranët na kanë pritur gjithmonë me shumë respekt dhe kuriozitet. Kulturat tona janë të ndryshme, por ata janë shumë të hapur për ta njohur trashëgiminë dhe traditat tona. Performancat tona, shpesh, kanë marrë duartrokitje të gjata dhe komplimente për energjinë dhe origjinalitetin që sjellim.
Muzika zë një hapësirë konstante në jetë dhe konsiderohet si një shtytëse themelore kulturore dhe sociale. Krijon ura efektive ndër breza dhe ndërkulturore për sa i përket komunikimit dhe ndarjes së vlerave. Ajo përbën një produkt kulturor, por dhe mbi të gjitha një medium përmes të cilit tregohet një sistem vlerash, një identitet, një konceptim i botës. Muzika provon të jetë, si për individin, ashtu edhe për komunitetet, një vektor themelor i identitetit.
Për një artist, si për një audiencë, muzika është njëkohësisht një mjet për të shprehur identitetin. Duke qenë një aktivitet universal, muzika është një faktor i rëndësishëm i integrimit social-kulturor, qoftë në shoqërinë e origjinës, apo në kontekstin e Kantonit të Vaud, në shoqërinë pritëse. Rëndësia e muzikës në Kantonin e Vaud-it gjendet në disa nivele, në një shoqëri pritëse, e cila integron dhe vlerëson ndërkulturalitetin dhe vendosë ndërkulturalizmin si një model për të promovuar integrimin ekonomik, social dhe social të emigrantëve. Muzika me funksion identitar është e pranishme në shumicën e ngjarjeve kolektive dhe zyrtare të komunitetit shqiptar që jeton në Lozanë si dhe në Kantonin Vaud.
Një audiencë shqiptare dhe joshqiptare ka qenë në gjendje të ndjekë aktivitetet e organizuara nga Grupi Muzikor ‘Ilirët’ që nga viti 1994. Këto ngjarje kanë pasur rolin e krijimit të mundësisë për shqiptarët që të njohin veten kulturalisht dhe për publikun e gjerë të identifikojnë një kulturë shqiptare dhe traditë.
Andaj edhe objektivi gjeneral i Shoqatës Kulturore Artistike’’ILIRËT’’, është të ruajë, promovojë dhe zbulojë muzikën, trashëgëminë tonë të pasur shqiptare, si një vektor të integrimit social dhe ekonomik për emigrantët në shoqërinë e Kantonit Vaudit, në Zvicër e më gjerë. Motot tona janë: ‘’Duke njohur mirë kulturën tonë, më mirë do ta njohim kulturën e të tjerëve’’, ‘’Integrim po, por jo asimilim’’!
Cili, sipas jush, është suksesi më i madh i ShKA „Ilirët“?
Suksesi gjeneral, më i madh, është fakti që kemi arritur ta mbajmë gjallë kulturën shqiptare për tri dekada në një vend të huaj, duke e bërë pjesë të jetës së komunitetit shqiptar dhe duke krijuar ura komunikimi me kulturat e tjera. Kemi ruajtur traditat tona dhe kemi kontribuar në edukimin brezave të rinj me dashuri për vendin dhe kulturën tonë.
Pastaj sukseset specifike mund ti veçoj: Shoqata Kulturore Artistike ‘Ilirët’ pjesëmarrëse dhe fituese e vendit të parë në festivalet e Bernit 1996 dhe 1997, ndërsa solistet motrat Almedina dhe Xheneta Kuçi (duet) zunë vendin e parë; pjesëmarrëse e festivalit folklorik të Gjirokastrës 2004 dhe 2015; realizimi i projektit të albumit audio me 23 pika me këngë dhe melodi instrumentale; pjesëmarrëse e festivalit folklorik në Berlin- fituese e çmimit të parë si orkestër më e mirë; pjesëmarrëse e festivalit Anadrinia Jehon në Dejn të Rahovecit 2019, fituese me vendin e III-të; ndërsa solistja më e mirë e festivalit u shpall poetja jonë Fatime Kalimashi, anëtare e kryesisë së ‘Ilirët’; pjesëmarrëse e festivalit virtual Anadrinia Jehon virtual më 2020; realizimi i një reportazhi dokumentar në Radio Televizionin e Zvicrës Frankofone – RAMDAM (RTS1); pjesëmarrëse përgjatë dy ditëve ne festivalin ‘’Paleo Festival de Nyon’’ korrik 2024; kemi realizuar tri emisione në RTK – zëri ynë më 2003 – me gazetarin hulumtues Mon Beqirin; emisioni në RTK mbi pjësëmarrjen i ‘ilirët’ në Festivalin e Gjirokastrës 2015 me gazetarin hulumtues Mon Beqirin; në emisionin ‘Rrënjet Tona’ në RTK në vitin 2019 – Burim Krasniqi dhe pjesëmarrja në përmbajtjen e librit ‘’Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje ‘’ të gazetarit Rexhep Rifati.
Keni marrë pjesë me programe edhe jashtë Zvicrës?
Po, kemi marrë pjesë në shumë vende, përfshirë Gjermaninë, Kosovën dhe Shqipërinë. Çdo herë kemi përfaqësuar shqiptarët me dinjitet dhe kemi lënë përshtypje të mira.
Cila është m osha më e re dhe më e vjetra në shoqëri?
Anëtari më i ri është 7 vjeç, ndërsa më i vjetri është mbi 70 vjeç. Kjo tregon që ShKA „Ilirët“ është një familje ku brezat bashkohen për një qëllim të përbashkët.
Prej nga e gjithë kjo energji pozitive, kur dihet se ka shumë punë, apo ka pasur shumë punë e përkushtim që të mbahet kjo shoqëri?
Dashuria për kulturën dhe identitetin tonë na jep energjinë për të vazhduar. Është shumë punë dhe përkushtim, por kur sheh ndikimin pozitiv që ka kjo shoqëri tek anëtarët dhe tek komuniteti, çdo përpjekje ia vlen,e kemi obligim moral e kombëtar.
Jeni instrumentist, këngëtar e valltar. Si po e presin të rinjtë tanë ShKA „Ilirët“?
Të rinjtë janë gjithnjë e më të interesuar. Ata e shohin këtë si një mundësi për të mësuar më shumë për kulturën e tyre dhe për të krijuar lidhje me bashkëmoshatarët e tyre.
Ka të interesuar sikur dikur nga të rinjtë?
Po, ka gjithnjë të interesuar. Shumë të rinj vijnë për t’u bashkuar, veçanërisht pasi shohin programe tona dhe ndjehen krenarë për atë që përfaqësojmë.
Përkrahja, ju ka munguar nga dy shtetet tona?
Përkrahja ka qenë më shumë simbolike. Do të kishte qenë mirë të kishim më shumë mbështetje institucionale. Pavarësisht përpjekjeve tona, përballemi me sfida që kufizojnë potencialin dhe ndikimin e punës sonë. Prandaj, nevojat tona kryesore nga institucionet do të ishin:
- Mbështetje logjistike
- Furnizimin dhe mirëmbajtjen e kostumeve tradicionale që të prezentojmë sa më me dinjitet kostumet folklorike dhe veglave muzikore.
- Organizimin e festivaleve dhe aktiviteteve folklorike që përfshijnë komunitetin tonë dhe prezantojnë kulturën shqiptare në vendin pritës.
- Ruajtja e folklorit shqiptar
- Ndihmë për regjistrimin dhe arkivimin e valleve, këngëve dhe traditave që përfaqësojnë pasurinë tonë kulturore.
- Krijimi i programeve ndërkombëtare për promovimin e folklorit shqiptar në Zvicër dhe jashtë saj.
- Mbështetje për brezat e rinj
- Sigurimi i materialeve edukative dhe organizimi i kurseve të specializuara për të rinjtë, në mënyrë që ata të mësojnë dhe trashëgojnë artin e folklorit shqiptar.
- Mbështetje e grupeve folklorike për fëmijët dhe të rinjtë, si një mënyrë për të forcuar identitetin kombëtar.
- Pjesëmarrja në festivale ndërkombëtare
- Ndihmë për grupin tonë në pjesëmarrjen në festivale të mëdha folklorike ndërkombëtare, si ambasadorë të kulturës shqiptare.
- Bashkëpunimi institucional
- Themelimi i një rrjeti bashkëpunimi midis shoqatave folklorike shqiptare në diasporë dhe institucioneve shtetërore për të ndarë praktika të mira dhe për të mbështetur njëri-tjetrin.
- Lidhje më të ngushta me ambasadat dhe konsullatat shqiptare për të promovuar aktivitetet tona.
- Dërgimin e ndonjë etnomuzikologu i cili do të na mbante një konferencë p.sh. ‘’Roli i folklorit në ruajtjen e identitetit kombëtar’’!
- Reportazh të propozuar nga RTK-ja si TV shtetëror, etj.
- Dërgimin e ndonjë koreografi nga ansambli shtetëror i Kosovës për të ndërtuar ndonjë koreografi -valle për grupin, ndonjë tekst të ri kënge nga shoqata e shkrimëtarëve të Kosovës, manifestime qendrore për nder të festës kombëtare dhe shtetërore në kantone tëndryshme sipas radhës, etj.
Çka pas këtij 30 vjetori?
Pas këtij jubileu, planifikojmë të zgjerojmë aktivitetet tona, të bashkëpunojmë me më shumëshoqëri kulturore dhe të krijojmë një qendër kulturore për të gjithë shqiptarët në Zvicër.
Besoni se edhe brezi i ri do ta vazhdojë për ta mbajtur shoqërinë?
Besoj shumë. Me angazhimin që shoh te të rinjtë, jam i bindur që ata do ta çojnë përpara këtë trashëgimi.
Bashkëpunimi juaj me shoqëritë tjera kulturo-artistike që veprojnë në Zvicër?
Kemi një bashkëpunim shumë të mirë. Organizojmë evente të përbashkëta dhe shkëmbejmë përvoja që na ndihmojnë të përmirësohemi.
Keni menduar që ta keni një monografi të përgjithshme që të mbetet dokument, apo referencë për brezat që do të vijnë?
Po, është në planet tona. Do të jetë një mënyrë për të dokumentuar historinë e shoqërisë dhe për ta lënë si trashëgimi për brezat e ardhshëm.
Çka do t’i thoni anëtarëve të ShKA “Ilirët”?
Ju falënderoj nga zemra për përkushtimin dhe punën tuaj. Me kënaqësi do ti përmendja me emër e me mbiemër të gjithë iniciuesit e themelimit të shoqatës, anëtarët e kryesisë, koreografët e shumtë, asistentet e koreografëve dhe të udhëheqësit artistik, anëtarët e shoqatës, prindërit dhe familjarët tjerë e gjithë aktivistëve tjerë, sponsorëve dhe donatorëve, por me siguri lista do të ishte shumë e gjatë dhe me siguri do ti hyja në hak dikujt pa e permendur, që dhanë kontribut dhe vazhdojnë të japin kontribut në ShKA ‘ILIRËT’ që nga themelimi, nëntori1994 e deri tani, gjithashtu edhe autoritetet e byrove zvicerane, pa ju, ShKA „Ilirët“ nuk do të ishte kjo që është sot. Jeni zemra e kësaj shoqërie.
Urimi juaj për vitin 2025?
Uroj që viti 2025 të sjellë shëndet, lumturi dhe suksese për të gjithë! Le të jetë një vit plot aktivitete kulturore dhe arritje të reja për ShKA „Ilirët“.
Ju falenderoj edhe një herë dhe ju uroj suksese?
Falemnderit shumë! Kënaqësi ishte të ndaja këtë rrugëtim me ju. Suksese edhe juve! Më lejoni në fund të kem edhe këtë ftesë; Të nderuar miq dhe të interesuar pasionantë të muzikës, këndimit, vallëzimit, teatrit etj, shoqata jonë kulturo-artistike ju fton të bëheni pjesë e një udhëtimi të bukur artistik dhe kulturor. Kjo është mundësia juaj për t’u bashkuar me një grup të talentuar artistësh dhe për të kontribuar në zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike në komunitetin tonë. Nëse keni dëshirë të mësoni ose të zhvilloni më tej talentet tuaja në: • Instrumente muzikore • Këndim • Vallëzim tradicional . Poezi . Humor . Teatër Ju mirëpresim me zemër të hapur! Për t’u anëtarësuar ose për më shumë informacion, na kontaktoni: Ushtrimet mbahen çdo të premte nga ora 19h00-00h00 Adresa: Centre Socioculturel de Grande Vennes Chemin des Abeilles 17, 1010 Lausanne Fb : Ilirët Lausanne Insta : Ilirët.lausanne E-mail : Info@liret.ch Website : www.iliret. ch Ejani dhe bëhuni pjesë e familjes sonë artistike! Së bashku do të krijojmë momente të paharrueshme dhe do të mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore. Me respekt, Shoqata Kulturo-Artistike«ILIRËT»
helveticALforum