Teksa afrohet afati i 22 korrikut për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, vazhdojnë debatet rreth zgjatjes së procesit gjyqësor dhe vazhdimit të paraburgimit të të akuzuarve.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e kishin shtyrë më herët shpalljen e vendimit, duke e arsyetuar këtë me kompleksitetin e çështjes dhe vëllimin e madh të provave që duhet të shqyrtohen nga trupi gjykues. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse afati i caktuar do të respektohet apo nëse gjyqtarët do të kërkojnë kohë shtesë për finalizimin e aktgjykimit. Ndërkohë, katër të akuzuarit vazhdojnë të mbahen në paraburgim, edhe pse kanë kaluar më shumë se katër muaj nga përfundimi i procesit gjyqësor. Kjo situatë ka nxitur reagime nga njohës të drejtësisë dhe avokatë, të cilët vlerësojnë se procedura është zvarritur tej mase. Avokati Skender Musa thotë se, ndonëse ligjërisht një shtyrje e re është e mundur, një veprim i tillë do të perceptohej si i pajustifikueshëm nga opinioni publik në Kosovë.
“Ekziston mundësia që afati të shtyhet sërish për shkak të numrit të madh të dokumenteve dhe materialeve që duhet të analizohen. Megjithatë, procesi tashmë ka zgjatur me vite dhe pritjet janë që vendimi të merret sa më shpejt”, vlerësoi ai.
Nga ana tjetër, avokati Arbër Jashari konsideron se vazhdimi i paraburgimit pas përfundimit të administrimit të provave cenon të drejtat e të akuzuarve.
“Sapo janë dëgjuar dëshmitarët dhe janë administruar të gjitha provat, arsyet që justifikojnë mbajtjen në paraburgim dobësohen ndjeshëm. Tashmë procesi ka përfunduar dhe pritet vetëm shpallja e aktgjykimit”, tha Jashari.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Në deklaratat e tyre përmbyllëse, të dhëna në shkurt të këtij viti, ata kanë mohuar akuzat dhe kanë kërkuar lirimin, duke insistuar në pafajësinë e tyre.
Me afrimin e datës 22 korrik, vëmendja mbetet e përqendruar te vendimi i trupit gjykues dhe te mundësia që procesi, i cili ka zgjatur për më shumë se pesë vjet, të marrë më në fund një epilog në shkallën e parë, transmeton rtk.




