POSTIMET E FUNDIT

Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913

6 maj 1405 – 6 maj 2026 – në kujtim të 621-vjetorit të lindjes së Skënderbeut.

Nga: Hysen S. Dizdari

Tiranë, më 5 maj 2026

Autor i librit: “Skënderbeu në pullat shqiptare (1913–2023)”

Nderim dhe mirënjohje për skulptorin prof. Heinrich Kautsch (1859–1943), autor i medaljeve me portretin e Skënderbeut

Populli shqiptar dhe, veçanërisht, ne studiuesit e historisë së filatelisë shqiptare, duhet t’i jemi mirënjohës një studiuesi të ri dhe shumë të talentuar, i cili jeton dhe punon në Francë dhe quhet Aurenc Bebja. Ai na ka gëzuar pa masë me zbulimin e një dokumenti të ri: një libër i botuar në vitin 1912 në Romë, Itali, të cilin e ka publikuar në blogun https://www.darsiani.com më 13 janar 2018, ku shkruan:

“Në veprën me titull ‘L’Albania’ të Vico Mantegazzas, botuar në vitin 1912 në Romë nga shtëpia botuese ‘Bontempelli e Invernizzi’, gjejmë në faqen 17 një portret të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në medaljen e krijuar nga skulptori Heinrich Kautsch.”

Zbulimi i medaljes me portretin e Skënderbeut, i botuar në librin “L’Albania” të autorit Vico Mantegazza, mund të konsiderohet si një nga zbulimet më të rëndësishme të vitit 2018 në lidhje me studimet përkujtimore për 621-vjetorin e lindjes së Skënderbeut, për këto arsye:

Skulptori i njohur, prof. Heinrich Kautsch (1859–1943), është autor i disa medaljeve dhe skulpturave, të cilat janë vlerësuar nga specialistët e arteve figurative si ndër më të arrirat; ato spikasin për stilin e veçantë të kompozimit dhe për bukurinë e rrallë artistike.

Libri me titull “L’Albania”, i cili paraqet një medaljon të skulptorit Heinrich Kautsch, vërteton nga një burim i dytë i pavarur se autori i medaljonit me portretin e Skënderbeut, që ka shërbyer për të ilustruar pullën e parë shqiptare, është pikërisht Heinrich Kautsch.

Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se medaljoni që paraqitet në librin “L’Albania” nuk është identik me atë që shfaqet në pullën e emetuar më 1 dhjetor 1913; megjithatë, mendohet se Qeveria e patriotit Ismail Qemali mund të ketë porositur disa medaljone te skulptori Heinrich Kautsch (studiues të tjerë në të ardhmen mund të zbulojnë dokumente apo libra me medaljonin autentik).

Portreti i Skënderbeut në medaljonin e krijuar nga skulptori Heinrich Kautsch, i paraqitur në pullën e parë shqiptare të emetuar më 1 dhjetor 1913, ka disa veçori të spikatura:

Së pari: Pulla me portretin e Skënderbeut, e krijuar fillimisht në medaljon, u emetua me vendim të Qeverisë së Ismail Qemalit më 1 dhjetor 1913 dhe u shtyp në një tirazh prej 2 milionë e 950 mijë kopjesh, sipas John S. Fipps-it në librin e tij “Pullat dhe postat e Shqipërisë dhe të Epirit 1878–1945”, faqe 121.

Megjithatë, një dokument i zbuluar nga Thimi Nika, studiues i njohur dhe autor i librit “Historia e filatelisë shqiptare” (2013), faqe 95, thekson: “Përlindja e Shqipërisë”, në numrin 21 të datës 15–28 mars 1914, shënon se të gjitha pullat me portretin e Skënderbeut u shtypën në tirazhin 2 875 000 copë.

Pra, bazuar në këto dy burime të pavarura, portreti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, është shtypur në rreth tre milionë kopje dhe kjo pullë është përhapur në të gjithë botën. Ajo e ka bërë më të njohur portretin e tij se çdo dokument tjetër dhe, me të drejtë, është cilësuar si emisioni me tirazhin më të madh në historinë e pullës shqiptare.

Së dyti: Kjo pullë shënon realizimin e parë artistik të portretit të Skënderbeut në një pullë shqiptare, me tipare që përputhen me përshkrimet autentike të dhëna nga At Dhimitër Frangu, bashkëkohës i tij dhe arkëtar personal, në librin “Veprat e lavdishme të Skënderbeut”, përkthyer nga Lek Pervizi (Tiranë, 2005).

Ky libër, siç theksohet nga përkthyesi, është ndër të vetmit që bazohet në dëshmi të drejtpërdrejta të bashkëkohësve dhe është botuar fillimisht në italisht në vitin 1506, duke u ribotuar më pas rreth 20 herë në gjuhë të ndryshme. Edhe portreti në kopertinën e këtij libri ngjan me atë të pullës së vitit 1913.

Së treti: Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje ndaj prof. Heinrich Kautsch-it, propozohet që Komisioni Shtetëror i Pullës Shqiptare të emetojë një pullë përkujtimore me portretin e tij, së bashku me medaljonin e Skënderbeut të realizuar prej tij, brenda vitit 2026.

Gjithashtu, pjesë e këtij emisioni mund të jenë edhe studiues të njohur si John S. Fipps dhe Thimi Nika, të cilët kanë kontribuar në dokumentimin e origjinës së këtij portreti.

Fragment nga poema “Skënderbeu” – Naim Frashëri (1898)

Kush nuk e di Skënderbenë,

Që nderoi mëmëdhenë?

Dhe sot nga armët e tija

Kullon thjesht trimëria!

E di njerëzia e tërë

Atë zot ç’punë ka bërë:

Kur hiq Skënderbeu shpatë,

Trimave u jepte datë!

A e shihni Skënderbenë,

Mbret i mirë, trim e burrë,

U përpoq për mëmëdhenë,

Po s’i vdes emri kurrë.

Skënderbeu është i gjallë,

Rron e mbretëron për jetë;

Kjo fjalë s’është përrallë,

Ndaj të urtit është e vërtetë. /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB