Shqipëria është vend partner në një prej eventeve më të rëndësishme të startup-eve dhe inovacionit në Europë. Në Mynih prezantohen sipërmarrje nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.
Ekosistemi shqiptar i inovacionit po prezantohet në skenën ndërkombëtare të sipërmarrjes përmes pjesëmarrjes në Bits & Pretzels 2026, një prej eventeve më të rëndësishme europiane për startup-et, teknologjinë dhe inovacionin, që zhvillohet në Mynih të Gjermanisë.
Këtë vit, Shqipëria mban statusin e vendit partner, duke sjellë në këtë aktivitet 17 startup-e nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Pjesëmarrja synon të promovojë potencialin e sipërmarrjeve shqiptare dhe të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim, investime dhe zgjerim në tregjet ndërkombëtare.
Startup-et e përzgjedhura operojnë kryesisht në sektorë si siguria kibernetike, inteligjenca artificiale dhe edukimi, fusha që po marrin një rëndësi të veçantë në ekonominë digjitale dhe në tregjet ndërkombëtare.
E pranishme në aktivitet, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se përzgjedhja e këtyre sektorëve lidhet me kërkesën në rritje që ata kanë në tregjet ndërkombëtare.
Sipas saj, pjesëmarrja në evente të tilla synon që startup-et shqiptare të prezantojnë idetë dhe produktet e tyre, të krijojnë kontakte me sipërmarrje të ngjashme dhe të tërheqin investime të reja në Shqipëri.
“Panaire të tilla shërbejnë për ta vendosur Shqipërinë në hartën globale të ekosistemit të startupe-ve”, u shpreh Ibrahimaj, duke nënvizuar rëndësinë e ndërkombëtarizimit të sipërmarrjeve inovative shqiptare.
Pjesëmarrja në Bits & Pretzels 2026 është organizuar nga Startup Albania dhe EU4Innovation (GIZ), në kuadër të përpjekjeve për të rritur praninë ndërkombëtare të startup-eve shqiptare dhe për t’i lidhur ato me rrjetet europiane të inovacionit, sipërmarrjes dhe investimeve.
Prania në Mynih vjen pas pjesëmarrjes së startup-eve shqiptare edhe në aktivitete të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë ITB Berlin, VivaTech dhe Slush. Përmes këtyre aktiviteteve, sipërmarrjet nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora synojnë të zgjerojnë rrjetin e tyre ndërkombëtar dhe të krijojnë ura të reja bashkëpunimi me investitorë, kompani teknologjike dhe aktorë të ekosistemit europian të inovacionit. Pjesëmarrja e Shqipërisë si vend partner në Bits & Pretzels 2026 e vendos kështu ekosistemin shqiptar të startup-eve në një prej platformave kryesore europiane të teknologjisë dhe sipërmarrjes, duke i dhënë hapësirë sipërmarrjeve të reja për të prezantuar potencialin e tyre përtej tregut vendas, transmeton euronewsal.










