Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), një delegacion i Komandës Mbështetëse të FARSH-së, i udhëhequr nga komandanti, Gjeneral Brigade Aleksandër Pando, ka realizuar një vizitë zyrtare në Komandën e Logjistikës dhe Gardën Kombëtare të FSK-së.
Delegacioni shqiptar u prit nga zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, Kolonel Valdet Berisha, i cili prezantoi para homologëve shqiptarë misionin dhe detyrat e kësaj komande, strukturën organizative, arritjet e deritanishme, sfidat aktuale dhe procesin e ngritjes së kapaciteteve. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për zhvillimet në fushën e logjistikës, mbështetjes mjekësore dhe aktiviteteve të tjera që lidhen me funksionimin dhe përmbushjen e detyrave të kësaj strukture.
Në vazhdim të vizitës, Gjeneral Brigade Aleksandër Pando u prit edhe nga stafi i Gardës Kombëtare të FSK-së, ku u njoh nga afër me misionin, strukturën organizative, kapacitetet dhe zhvillimet e kësaj komande.
Një nga momentet e rëndësishme të vizitës ishte pjesëmarrja e delegacionit në ceremoninë e përfundimit të Kursit të Kërkim-Shpëtimit Malor, trajnim i realizuar në bashkëpunim ndërmjet FSK-së dhe FARSH-së. Ky aktivitet përfaqëson një dëshmi konkrete të bashkëpunimit profesional, shkëmbimit të përvojave dhe rritjes së ndërveprueshmërisë ndërmjet dy forcave ushtarake.
Gjatë takimeve u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak, me fokus të veçantë në zhvillimin e kapaciteteve logjistike, mjekësore dhe mbështetjen e Autoriteteve Civile.
Palët theksuan rëndësinë e zbatimit të planeve bilaterale, shkëmbimit të përvojave dhe ndarjes së praktikave më të mira, me synim avancimin e kapaciteteve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Kjo vizitë dëshmon vazhdimësinë e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe FARSH-së, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta dhe avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë./BS










