Iniciativa “Për një të drejtë moderne qytetarie” synon të lehtësojë ndjeshëm marrjen e pasaportës zvicerane, duke propozuar që e drejta për natyralizim të fitohet pas pesë vitesh qëndrimi të ligjshëm në Zvicër. Ndryshimi mund të prekë qindra mijëra banorë të huaj, përfshirë një numër të madh shqiptarësh.
BERN – Më 28 shkurt 2027, qytetarët zviceranë do të votojnë për një nga çështjet më të rëndësishme që lidhen me politikën e migracionit dhe integrimin në vend: iniciativën popullore “Për një të drejtë moderne qytetarie” (Demokratie-Initiative). Propozimi synon të ndryshojë në themel sistemin aktual të natyralizimit, duke vendosur rregulla të njëjta në nivel federal dhe duke shkurtuar nga dhjetë në pesë vjet periudhën e kërkuar të qëndrimit të ligjshëm në Zvicër. Nëse iniciativa miratohet, të huajt që kanë jetuar ligjërisht pesë vjet në vend do të mund të fitojnë të drejtën për të aplikuar për shtetësi zvicerane, pa qenë e domosdoshme të kenë lejen e qëndrimit C. Ndër kushtet kryesore parashihen respektimi i sigurisë së vendit dhe njohja bazë e njërës prej gjuhëve zyrtare.
Një mundësi e re për mijëra familje shqiptare
Për komunitetin shqiptar në Zvicër, kjo iniciativë ka një rëndësi të veçantë. Shumë shqiptarë kanë ndërtuar jetën e tyre në këtë shtet, kanë punuar për vite me radhë, kanë rritur familjet dhe janë integruar në shoqërinë zvicerane, por ende nuk e kanë fituar shtetësinë.
Sipas propozimit, procedura e natyralizimit do të bëhej më e unifikuar, duke shmangur dallimet e mëdha që ekzistojnë sot ndërmjet kantoneve dhe komunave.
Aktualisht, natyralizimi i zakonshëm kërkon së paku dhjetë vjet qëndrim në Zvicër dhe posedimin e lejes C. Përveç këtyre kushteve federale, aplikuesit duhet të përmbushin edhe kërkesat kantonale dhe komunale, të cilat mund të ndryshojnë ndjeshëm nga një vendbanim në tjetrin.
Në krye të iniciativës qëndron politikani shqiptar Arbër Bullakaj
Iniciativa u lansua në maj të vitit 2023 nga aleanca qytetare “Aktion Vierviertel”, e themeluar në vitin 2020, ku bashkëkryetar është politikani me prejardhje shqiptare, Arbër Bullakaj.
Në nëntor të vitit 2024, iniciativa iu dorëzua Kancelarisë Federale në Bern me gjithsej 104.603 nënshkrime të vërtetuara.
Ajo mbështetet nga Partia Socialdemokrate (SP) dhe Partia e të Gjelbërve.
Sipas përfaqësuesve të aleancës, qëllimi është që natyralizimi të mos varet nga vendi ku jeton një person, por të bazohet në kritere të njëjta për të gjithë banorët e Zvicrës.
Arbër Bullakaj dhe mbështetësit e tij argumentojnë se sistemi aktual krijon pabarazi dhe se qytetarët e huaj që plotësojnë kushtet e integrimit duhet të kenë një rrugë më të drejtë dhe më transparente drejt shtetësisë.
Qeveria dhe Parlamenti kundër iniciativës
Pavarësisht mbështetjes nga partitë e majta dhe organizatat për të drejtat e migrantëve, iniciativa është kundërshtuar nga Këshilli Federal dhe të dy dhomat e Parlamentit.
Argumenti kryesor i kundërshtarëve është se marrja e shtetësisë zvicerane nuk duhet të shndërrohet në një procedurë të thjeshtë administrative. Sipas tyre, pasaporta zvicerane duhet të jetë rezultat i një procesi të qëndrueshëm integrimi dhe përmbushjes së kritereve të përcaktuara.
Gjatë debatit parlamentar, partitë SP, të Gjelbrit dhe Liberalët e Gjelbër (GLP) propozuan gjithashtu një alternativë kushtetuese, e cila do të mundësonte natyralizim të lehtësuar për brezin e dytë të të huajve.
Megjithatë, kjo alternativë nuk mori mbështetjen e nevojshme në Këshillin e Kantoneve. Si rrjedhojë, qytetarët do të votojnë për iniciativën pa një kundërpropozim zyrtar.
Rreth 300 mijë shqiptarë në Zvicër
Sipas shifrave të përmendura nga Zyra Federale e Statistikave, komuniteti shqiptar në Zvicër numëron rreth 300 mijë persona, prej të cilëve mbi 90 mijë kanë shtetësi zvicerane.
Kjo e bën komunitetin shqiptar një prej grupeve të rëndësishme të popullsisë me prejardhje të huaj në vend.
Miratimi i iniciativës mund të krijojë mundësi të reja për shumë shqiptarë që aktualisht nuk i plotësojnë kushtet e natyralizimit sipas legjislacionit ekzistues.
Përveç përfitimit të pasaportës, shtetësia zvicerane nënkupton edhe të drejta të plota politike, përfshirë të drejtën për të votuar dhe për të marrë pjesë në vendimmarrjen demokratike në nivel federal, kantonal dhe komunal.
Vendimi përfundimtar më 28 shkurt 2027
Për t’u miratuar, iniciativa duhet të sigurojë shumicën e dyfishtë: shumicën e votuesve në nivel kombëtar dhe shumicën e kantoneve. Kjo do të thotë se rezultati nuk do të varet vetëm nga numri i qytetarëve që votojnë pro, por edhe nga qëndrimi i shumicës së kantoneve zvicerane. Për shqiptarët me pasaportë zvicerane, votimi i 28 shkurtit do të jetë një mundësi për të shprehur qëndrimin e tyre mbi një çështje që prek drejtpërdrejt familjarët, miqtë dhe bashkëkombësit e tyre. Në fund, kutitë e votimit do të përcaktojnë nëse Zvicra do të vazhdojë me sistemin aktual të natyralizimit apo do të hapë një kapitull të ri, me rregulla më të njëjta dhe një rrugë potencialisht më të shkurtër drejt shtetësisë. Një gjë është e sigurt: votimi i 28 shkurtit 2027 mund të shënojë një moment të rëndësishëm për të ardhmen e mijëra familjeve shqiptare që e kanë ndërtuar jetën e tyre në Zvicër./BSot










