Në famullinë e Shën Nënë Terezës në Starigrad u kremtua solemnisht dita kushtuar Shenjtores shqiptare. Shoqata Kulturore Shqiptare në Kroaci „Shkëndija” u bë pjesë e festës me një program të pasur folklorik.
Me rastin e Ditës së Shën Nënë Terezës, anëtarët e Shoqatës Kulturore Shqiptare në Kroaci „Shkëndija” morën pjesë në kremtimin solemn të kësaj dite të veçantë, në famullinë e Shën Nënë Terezës në Starigrad. Pjesëmarrja u bë me ftesë të Driton Prekazit, përfaqësues i pakicës kombëtare shqiptare në Qarkun Koprivnicë-Križevci, ndërsa aktiviteti u shndërrua në një moment të bukur bashkimi, respekti dhe promovimi të vlerave të përbashkëta kulturore e shpirtërore. Kremtimi nisi me meshën e shenjtë kroato-shqiptare, e cila u mbajt në gjuhën kroate dhe shqipe. Meshën e udhëhoqën don Marijan Lorenci dhe don Mihill Gojani, duke i dhënë ceremonisë një karakter të veçantë, ku ndërthureshin tradita fetare, identiteti shqiptar dhe bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve. Pas meshës, të pranishmit vijuan me pritjen dhe shoqërimin në oborrin e famullisë, në një atmosferë miqësore dhe festive.

Një vend të veçantë në këtë kremtim zuri edhe prezantimi i Shoqatës Kulturore Shqiptare në Kroaci „Shkëndija”. Përmes një programi folklorik, valltarët e rinj të shoqatës sollën në skenë ritmet dhe vallet tradicionale shqiptare, duke përcjellë tek të pranishmit një pjesë të pasurisë së kulturës sonë kombëtare. Interpretimi i të rinjve ishte një dëshmi e gjallë se traditat shqiptare vazhdojnë të ruhen dhe të përcillen tek brezat e rinj, edhe larg trojeve shqiptare. Përmes muzikës, valles dhe kostumeve tradicionale, ata përcollën bukurinë dhe larminë e folklorit shqiptar, duke kontribuar në promovimin e identitetit dhe kulturës shqiptare në Kroaci. Dita e Shën Nënë Terezës në Starigrad u shndërrua kështu në një festë të besimit, kulturës dhe bashkëpunimit, duke dëshmuar edhe një herë rolin e rëndësishëm që komuniteti shqiptar luan në jetën kulturore dhe shoqërore të Kroacisë. Për Shoqatën „Shkëndija”, pjesëmarrja në këtë aktivitet ishte një tjetër mundësi për të prezantuar vlerat e kulturës shqiptare dhe për të forcuar lidhjet me komunitetin lokal, duke e mbajtur gjallë trashëgiminë kombëtare dhe duke ua përcjellë atë brezave të rinj, transmeton SHKSH “Shkëndija”, përcjell helveticALforum.ch.










