Nga Sovran Shala
CYRIH, 19 shtator 2026 – Qindra bashkatdhetarë u mblodhën sot në Helvetiaplatz të Cyrihut, duke iu bashkuar tubimit me moton “Jo në emrin tim!”. Në shesh u panë mërgimtarë nga troje të ndryshme, të moshave dhe gjeneratave të ndryshme, të ardhur nga pjesë të ndryshme të Zvicrës. Tubimi, i organizuar nga një grup të rinjsh shqiptarë në Zvicër, u zhvillua nga ora 15:00 deri në 17:00. Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta ishte e lejuar nga autoritetet e Cyrihut dhe u zhvillua në mënyrë paqësore. Helvetiaplatz, një nga hapësirat e njohura të tubimeve publike në Cyrih, sot u shndërrua në një pikë takimi të mërgatës. Të rinj, prindër dhe pjesëtarë të gjeneratave më të vjetra u bënë bashkë, duke përcjellë një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Fjalë, duartrokitje dhe brohoritje për UÇK-në
Në mesin e folësve ishte edhe ish-konsulli i Kosovës në Cyrih, Dr. Sali Sefa, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalim që u mirëprit me duartrokitje dhe brohoritje “UÇK! UÇK!”. Fjala e tij u prit me interes të veçantë nga të pranishmit, të cilët gjatë gjithë tubimit shfaqën unitet dhe solidaritet rreth mesazhit të protestës.Pamja e sotme në Helvetiaplatz dëshmoi edhe një herë se çështjet që lidhen me Kosovën dhe të kaluarën e saj vazhdojnë të prekin fuqishëm shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Nga të gjitha trojet shqiptare, në një shesh
Ajo që e bëri veçanërisht domethënës tubimin ishte prania e bashkatdhetarëve me prejardhje nga trevat e ndryshme shqiptare. Në Helvetiaplatz u takuan gjenerata që e kanë përjetuar nga afër periudhën e luftës së Kosovës, ata që e kanë përjetuar atë si fëmijë dhe të rinjtë e lindur ose rritur në Zvicër. Pikërisht kjo ndërthurje gjeneratash i dha tubimit një dimension të veçantë. Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Ansambli “Trojet” me qendër në Winterthur, i cili mori pjesë me një numër të madh anëtarësh dhe prindërish. Prania e tyre ishte një tjetër dëshmi se aktiviteti i mërgatës shqiptare nuk kufizohet vetëm në një qytet, por shtrihet në shumë kantone dhe komunitete shqiptare në Zvicër.

Mërgata, pjesë e pandashme e atdheut
Tubimi i sotëm në Cyrih ishte edhe një dëshmi e lidhjes së fortë emocionale dhe kombëtare që mërgata vazhdon ta ruajë me Kosovën dhe trojet shqiptare. Për shumë prej pjesëmarrësve, prania në shesh nuk ishte vetëm një akt proteste, por edhe një mënyrë për të shprehur solidaritetin me ata që konsiderohen pjesë e historisë së çlirimit të Kosovës.
“Mërgata është pjesë e atdheut”, ishte një nga mesazhet që u përcoll fuqishëm përmes pjesëmarrjes së sotme.
Bashkatdhetarët erdhën nga pjesë të ndryshme të Zvicrës për të qenë bashkë në një shesh. Në mesin e tyre kishte njerëz që prej dekadash jetojnë në Zvicër, por edhe të rinj që janë rritur në këtë vend. Kjo është një nga karakteristikat më të veçanta të mërgatës shqiptare: ruajtja e lidhjes me vendin e origjinës, edhe kur brezat ndryshojnë dhe jeta zhvillohet larg atdheut.

Një shesh me kujtesë historike
Helvetiaplatz nuk është një emër i panjohur për shqiptarët e Cyrihut. Në këtë shesh, ndër vite, shqiptarët janë mbledhur për të protestuar dhe për të shprehur kërkesat e tyre politike e kombëtare. Dikur këtu dëgjohej zëri i mërgimtarëve që kërkonin pavarësinë e Kosovës. Sot, vite më vonë, i njëjti shesh u mbush sërish me shqiptarë, këtë herë me thirrje në mbështetje të luftëtarëve të UÇK-së dhe me moton “Jo në emrin tim!”. Është një ndryshim kohësh, por edhe një vazhdimësi e kujtesës kolektive të një mërgate që ka qenë e pranishme në momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës.

Falënderim për Zvicrën
Në përmbyllje, pjesëmarrësit shprehën mirënjohje edhe për Zvicrën, vendin që për dekada ka qenë shtëpi e dytë për qindra mijëra mërgimtarë. Mundësia që mërgimtarët të mblidhen në mënyrë paqësore dhe të shprehin qëndrimet e tyre në një hapësirë publike është pjesë e lirisë dhe demokracisë që ofron shteti zviceran. Nga Helvetiaplatz i Cyrihut, mes flamujve, pankartave, duartrokitjeve dhe brohoritjeve, mërgata shqiptare dha sot një tjetër dëshmi të lidhjes së saj me Kosovën. Cyrihu sot nuk ishte vetëm një qytet ku u zhvillua një protestë. Ishte një shesh ku u takuan gjeneratat, trojet dhe mërgata shqiptare – të bashkuara rreth një mesazhi të përbashkët: “Jo në emrin tim!”
Special për helveticALforum.ch










