BallinaEKSKLUZIVEProtesta në Cyrih dhe një fotografi që flet për qytetërimin e mërgatës...

Protesta në Cyrih dhe një fotografi që flet për qytetërimin e mërgatës shqiptare

-

Nga Dashnim HEBIBI

Pas protestës së mbajtur dje në Cyrih në mbështetje të krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, një fotografi e realizuar nga fotografi-mjeshtër i madh Daut Luboja ka tërhequr vëmendjen për një tjetër dimension të kësaj ngjarjeje – kulturën qytetare të protestuesve shqiptarë. Protesta në Cyrih mblodhi një numër të madh veprimtarësh, qytetarësh dhe të rinjsh shqiptarë nga diaspora, të cilët dolën për të shprehur qëndrimet e tyre lidhur me procesin ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë. Përtej mesazhit të protestës, ajo që bie në sy është mënyra se si tubimi përfundoi. Sheshi dhe rrugët ku u zhvillua protesta u lanë të pastra, pa mbeturina dhe pa shenja të dëmtimit të hapësirës publike. Një prej imazheve që e përcjell më së miri këtë moment është fotografia e realizuar nga mjeshtri i fotografisë, Daut Luboja, me protagonist Prof. Burhan Morinën, një emër i njohur në diasporën shqiptare dhe në atdhe për veprimtarinë e tij atdhetare dhe humanitare.

Fotografia përcjell një mesazh që shkon përtej një momenti të zakonshëm pas një proteste. Ajo tregon se një tubim i madh mund të përfundojë pa incidente dhe pa dëmtime të hapësirës publike, duke respektuar qytetin dhe rregullat e vendit ku jeton e vepron mërgata. Prof. Burhan Morina është nga Topnica e Kamenicës dhe prej më shumë se 20 vitesh jeton në Zvicër së bashku me familjen e tij. Gjatë gjithë këtyre viteve, ai është shquar si një veprimtar i palodhur dhe i përkushtuar ndaj kauzës kombëtare, duke dhënë kontribut të vazhdueshëm në jetën e komunitetit shqiptar në diasporë. Me angazhimin e tij të pandërprerë, Prof. Morina ka qenë gjithmonë pranë aktiviteteve dhe nismave që lidhen me çështjen kombëtare, duke ruajtur me përkushtim lidhjet me atdheun dhe duke kontribuar në forcimin e komunitetit shqiptar në Zvicër.

Asnjë mbeturinë e dukshme, asnjë shishe e lënë në tokë dhe asnjë gjurmë e panevojshme në hapësirën publike. Për shumëkënd, ky është një detaj i vogël, por në fakt është një pasqyrë e rëndësishme e sjelljes qytetare. Shqiptarët e diasporës, ndërsa ruajnë lidhjet e tyre me atdheun, janë njëkohësisht pjesë e pandashme e shoqërive ku jetojnë. Respekti për qytetin, hapësirën publike dhe komunitetin pritës është pjesë e këtij integrimi. Në këtë kuptim, fotografia e Lubojës nuk dokumenton vetëm një protestë. Ajo dokumenton edhe një mesazh të heshtur: mund të protestosh për një kauzë që e konsideron të rëndësishme, duke respektuar njëkohësisht vendin ku jeton.

Foto- Daut Luboja, me fotoaparat dhe kamerë në dorë, duke dokumentuar protestën

Cyrihu u bë kështu dëshmitar i një tubimi të madh të mërgimtarëve, por edhe i një shembulli të sjelljes qytetare. Protesta përfundoi, njerëzit u shpërndanë dhe sheshi mbeti i pastër. Ky është një imazh që meriton të veçohet, sepse mërgata shqiptare nuk përfaqësohet vetëm përmes numrit të njerëzve që marrin pjesë në një protestë, por edhe përmes mënyrës se si sillet pas saj. Kjo është qytetari. Kjo është respekt për Zvicrën. Dhe kjo është një tjetër dëshmi se shqiptarët e diasporës e duan atdheun e tyre, duke respektuar e dashur njëkohësisht vendin që e kanë bërë shtëpi.

(Foto nga Daut Luboja)

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kosova pranohet në sistemin ndërkombëtar ATA Carnet

0
Oda Ekonomike e Kosovës njofton se bizneset kosovare tashmë do të mund të përfitojnë nga sistemi ndërkombëtar ATA Carnet, i cili synon të thjeshtojë...

Monumenti, një akt i vonuar