Oda Ekonomike e Kosovës njofton se bizneset kosovare tashmë do të mund të përfitojnë nga sistemi ndërkombëtar ATA Carnet, i cili synon të thjeshtojë procedurat doganore dhe të lehtësojë qarkullimin e përkohshëm të mallrave jashtë vendit.
Kosova është pranuar në sistemin ndërkombëtar ATA Carnet, një mekanizëm që u mundëson bizneseve të qarkullojnë përkohësisht mallra, pajisje profesionale, mostra dhe produkte të destinuara për panaire e ekspozita ndërkombëtare, pa pagesën e detyrimeve doganore dhe taksave të importit, në përputhje me rregullat e vendeve pritëse.
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) bëri të ditur se dokumenti ATA Carnet, i njohur ndryshe si “pasaporta e mallit”, do të lëshohet nga kjo odë dhe do t’u shërbejë kompanive kosovare gjatë proceseve të përkohshme të eksportit.
Sipas OEK-ut, përfshirja e Kosovës në këtë sistem paraqet një mundësi të re për kompanitë vendore që synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre në tregjet ndërkombëtare. Sistemi pritet të lehtësojë pjesëmarrjen e bizneseve në panaire dhe ekspozita jashtë vendit, duke krijuar mundësi për promovimin e produkteve “Made in Kosovo”, zgjerimin e eksporteve dhe krijimin e kontakteve të reja tregtare.
Përmes këtij mekanizmi, bizneset mund të shmangin një pjesë të procedurave administrative që lidhen me hyrjen dhe daljen e përkohshme të mallrave, duke e bërë më të lehtë pjesëmarrjen në aktivitete ndërkombëtare të biznesit.
OEK e ka cilësuar anëtarësimin në sistemin ATA Carnet si një hap në drejtim të ndërkombëtarizimit të shërbimeve për komunitetin e biznesit dhe të integrimit më të madh të ekonomisë së Kosovës në tregjet rajonale, evropiane dhe globale.
“Anëtarësimi në sistemin ATA Carnet ul barrierat administrative dhe ua lehtëson bizneseve tona daljen në tregjet e huaja, duke krijuar mundësi të reja për eksport, investime dhe rritje ekonomike”, thuhet në deklaratën e OEK-ut. Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë punën për avancimin e shërbimeve për bizneset dhe krijimin e kushteve më të favorshme për kompanitë vendore, me synim rritjen e konkurrueshmërisë së tyre në tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë, OEK pritet t’i informojë bizneset për procedurat, kushtet dhe mënyrën e përfitimit dhe përdorimit të dokumentit ATA Carnet, transmeton rtk.










