SHBA paralajmëron shtetasit amerikanë për përshkallëzimin e situatës pas hedhjes së gurëve dhe u bën thirrje të shmangin zonat ku po zhvillohet protesta.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar sërish pas përplasjeve të regjistruara pasditen e së mërkurës gjatë protestës që nisi në Rrugën e Durrësit dhe më pas u zhvendos përpara Kryeministrisë.
Përmes një njoftimi drejtuar shtetasve amerikanë që ndodhen në kryeqytetin shqiptar, ambasada ka paralajmëruar për përshkallëzimin e situatës, duke theksuar se protesta është shndërruar në akte dhune pas hedhjes së gurëve.
Sipas njoftimit, ekziston rreziku që protestat të shtrihen edhe në zonat përreth institucioneve qeveritare, duke sjellë shtim të pranisë policore, ndërprerje të qarkullimit të automjeteve, devijime të trafikut dhe mbyllje të mundshme të rrugëve.
“Një protestë në Rrugën e Durrësit, ngjitur me Sheshin Skënderbej, është duke vazhduar aktualisht dhe është shndërruar në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve”, thuhet në mesazhin e ambasadës.
Më tej, përfaqësia diplomatike amerikane bën të ditur se personelit të saj në Tiranë i është këshilluar të shmangë demonstratat, për shkak të situatës së tensionuar.
Ambasada u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar, të qëndrojnë vigjilentë dhe të vendosin sigurinë personale në plan të parë.
“Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, thuhet në njoftim. Situata e krijuar gjatë protestës ka sjellë shqetësime për sigurinë në zonat pranë institucioneve qeveritare, ndërsa qytetarëve u rekomandohet të informohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të shmangin zonat ku mund të ketë përplasje apo kufizime të qarkullimit, transmeton euronewsal.










