Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në Konferencën Rajonale për Gratë Ndërmarrëse, ku ka vënë në pah rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave dhe rolin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Gjatë fjalimit të saj, Presidentja e ka cilësuar këtë konferencë si një mundësi të rëndësishme për prezantimin e punës, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e mundësive të reja për gratë në fushën e ndërmarrësisë. Ajo ka theksuar se fuqizimi ekonomik i grave nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por edhe një faktor thelbësor për zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas saj, kur gratë kanë mundësi të krijojnë dhe zhvillojnë bizneset e tyre, përfiton e gjithë shoqëria përmes krijimit të vendeve të reja të punës, rritjes së konkurrencës dhe forcimit të ekonomisë. Megjithatë, Presidentja ka theksuar se gratë vazhdojnë të përballen me sfida të shumta, veçanërisht në qasjen në financim, tregje dhe rrjete të biznesit. Për këtë arsye, ajo ka bërë thirrje për krijimin e kushteve që gratë jo vetëm të nisin biznese, por edhe t’i zhvillojnë dhe zgjerojnë ato. Duke folur për angazhimin e saj në këtë drejtim, Shiroka Pula ka kujtuar se në fillim të viteve 2000 ishte pjesë e grupit punues për Integrimin e Grave në Ekonomi, gjatë hartimit të Planit të Veprimit të Kosovës për Arritjen e Barazisë Gjinore, dokument ky i miratuar në vitin 2004.
Ajo ka nënvizuar se barazia gjinore merr kuptim të vërtetë vetëm atëherë kur shndërrohet në mundësi konkrete për gratë. Në këtë kontekst, ka përmendur se mbi 12 mijë gra në Kosovë kanë përfituar nga programet e mbështetjes së punësimit, por ka theksuar se nevojiten përpjekje edhe më të mëdha. Një tjetër sfidë e rëndësishme, sipas Presidentes, mbetet barra e punëve të papaguara, pasi gratë në Kosovë shpenzojnë mesatarisht 6.2 orë në ditë në kryerjen e këtyre aktiviteteve, duke kufizuar kështu kohën dhe mundësitë e tyre për punësim dhe zhvillim të bizneseve. Në përfundim, Presidentja ka theksuar se fuqizimi ekonomik i grave është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, sektorit financiar, bizneseve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ajo ka përcjellë mesazhin se gratë ndërmarrëse kanë idetë, aftësitë dhe vullnetin për sukses, ndërsa përgjegjësia e institucioneve dhe shoqërisë është t’u krijojnë kushte dhe mundësi të barabarta për të realizuar potencialin e tyre./BS










