Lisbonë – E ardhmja e Cristiano Ronaldos me kombëtaren e Portugalisë mbetet në qendër të vëmendjes, ndërsa nga vendi i tij vazhdojnë të vijnë mesazhe mbështetëse për yllin portugez.
Trajneri i kombëtares, Jorge Jesus, ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Ronaldos në skuadër, ndërsa ministri i Ekonomisë, Manuel Castro Almeida, e ka cilësuar kapitenin portugez si një aset të rëndësishëm për imazhin e Portugalisë në arenën ndërkombëtare.
Në një deklaratë për mediat, Castro Almeida theksoi ndikimin e madh që Ronaldo ka në promovimin e vendit në mbarë botën.
“Cristiano Ronaldo ka një ndikim të madh në promovimin dhe nxjerrjen në pah të imazhit të Portugalisë”, deklaroi ministri.
Madje, ai shkoi edhe më tej, duke e krahasuar yllin portugez me një prej markave më të njohura të vendit.
“Ai është një vlerë dhe një aset”, u shpreh Castro Almeida, duke nënvizuar rëndësinë që ka Ronaldo jo vetëm në futboll, por edhe në mënyrën se si Portugalia perceptohet jashtë kufijve të saj.
I pyetur për debatin mes Cristiano Ronaldos dhe trajnerit Jorge Jesus, ministri u tregua i kujdesshëm dhe tha se nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të dhënë një vlerësim.
Ai theksoi se nuk është ekspert i futbollit dhe nuk dëshironte të merrte qëndrim se cila palë kishte të drejtë në këtë përplasje.
Megjithatë, fokusi i tij ishte i qartë: Portugalia duhet të vazhdojë të përfitojë nga ndikimi ndërkombëtar i Cristiano Ronaldos.
“Do të ishte mirë nëse Portugalia do të mund të vazhdonte të mbështetej në këtë aset”, tha ministri.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur e ardhmja e Ronaldos me kombëtaren portugeze është në diskutim, ndërsa çdo vendim për rikthimin e tij pritet të marrë vëmendje të madhe si në Portugali, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, transmeton rtk.










