Prishtinë – Sekretarja dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, u ka bërë thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të rikthehen në Kuvendin e Kosovës dhe të marrin pjesë në votimin e dytë të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media, Çitaku deklaroi se miratimi i këtij ligji nuk duhet të shihet si favor ndaj ndonjë subjekti politik apo individi, por si një obligim institucional.
“I bëjmë thirrje VV-së që të vijë në Kuvend dhe të miratojë ligjin në lexim të dytë. Ky nuk është favor, është obligim. Ne jemi këtu dhe nuk do të largohemi”, tha Çitaku.
Ajo theksoi se deputetët e PDK-së do të qëndrojnë në Kuvend dhe do të presin pjesëmarrjen e deputetëve të Vetëvendosjes për të mundësuar zhvillimin e procesit të votimit.
Thirrja e Çitakut vjen në kuadër të përpjekjeve për të përmbyllur procedurat parlamentare lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa çështja pritet të mbetet në fokus të debatit politik në Kuvend.
PDK-ja ka kërkuar që deputetët të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre parlamentare dhe të marrin pjesë në seancë, duke e konsideruar votimin e ligjit si pjesë të detyrimeve institucionale të Kuvendit, transmeton rtk.










