BallinaAtdheuPolicia shton masat e sigurisë para protestës, paralajmëron përgjegjësi ligjore për personat...

Policia shton masat e sigurisë para protestës, paralajmëron përgjegjësi ligjore për personat e dhunshëm

-

Albert Nushi nga Departamenti për Sigurinë Publike bëri të ditur se janë shtuar masat parandaluese dhe reaguese pas identifikimit të thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale. Policia u kërkon protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe prindërve të mos lejojnë fëmijët të ekspozohen ndaj rrezikut.

Policia e Shtetit ka shtuar masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës së paralajmëruar për ditën e sotme, pas konstatimit të thirrjeve të shumta për akte të dhunshme në rrjetet sociale dhe në platformat online. Lajmi u bë i ditur të shtunën nga Albert Nushi, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, i cili deklaroi se strukturat policore kanë ndërmarrë masa parandaluese dhe kanë nisur veprime hetimore për identifikimin e personave që dyshohet se po nxisin dhunën. Sipas Nushit, thirrjet e evidentuara në internet përfshijnë grumbullimin e personave të maskuar dhe pajisjen e tyre me mjete të rrezikshme, si lëndë piroteknike, bomba Molotov, sende metalike, shkopinj, gurë dhe objekte të tjera të forta.

Policia: Do të identifikohen personat përgjegjës

Sipas deklaratës së policisë, gjatë ditës së premte dhe në orët e para të mëngjesit të së shtunës janë konstatuar thirrje për sulme ndaj punonjësve të policisë, djegie dhe shkatërrim të automjeteve policore, si dhe dëmtim të pronës publike dhe private.

Në lidhje me këto thirrje, Policia e Shtetit ka nisur procedimin penal, ndërsa strukturat e specializuara po kryejnë hetime për identifikimin e personave përgjegjës.

Nushi paralajmëroi se personat që synojnë të shfrytëzojnë protestën për të ushtruar dhunë do të përballen me përgjegjësi ligjore, pavarësisht nëse mbajnë maska apo përpiqen të fshehin identitetin.

Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve që të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, duke theksuar rëndësinë e shmangies së veprimeve të paligjshme gjatë tubimit.

Apel për prindërit: Mbroni fëmijët nga situatat e rrezikshme

Një pjesë e veçantë e apelit të policisë iu drejtua prindërve, të cilëve u kërkohet të mos lejojnë pjesëmarrjen e fëmijëve në tubime apo qëndrimin e tyre në ambiente ku mund të rrezikohen nga përplasjet dhe aktet e dhunshme. Sipas policisë, mbrojtja e të miturve nga situatat e rrezikshme është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon kujdes të shtuar në rrethana të tilla. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin çdo përfshirje në akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë sigurinë publike.

Thirrje edhe për gazetarët në terren

Policia ka adresuar gjithashtu një apel për gazetarët dhe operatorët mediatikë që do të raportojnë nga vendi i protestës. Atyre u kërkohet të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe udhëzimet e punonjësve të policisë, me qëllim shmangien e rrezikut për jetën dhe shëndetin e tyre. Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit ka vlerësuar rëndësinë e informimit të publikut dhe ushtrimit të lirë të veprimtarisë gazetareske, duke theksuar nevojën për respektimin e masave të sigurisë gjatë raportimit. Ndërsa përgatitjet për protestën vijojnë, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin përfshirjen në veprime të dhunshme, në mënyrë që tubimi të mos shndërrohet në një situatë që rrezikon sigurinë e pjesëmarrësve dhe të qytetarëve të tjerë, transmeton euronewsal.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Rama për protestat në Tiranë: Dhuna nuk duhet të justifikohet në...

0
Kryeministri Edi Rama ka akuzuar persona të radikalizuar ideologjikisht, individë me precedentë kriminalë dhe grupe të tjera për përfshirje në aktet e dhunës gjatë...