Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi të shtunën se studentët, sindikatat dhe forcat politike opozitare janë bashkuar në mbështetje të protestës në Tiranë. I pyetur nëse do të marrë pjesë personalisht në tubim, ai nuk konfirmoi praninë e tij fizike.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lënë të kuptohet se mund të mos jetë fizikisht i pranishëm në protestën kombëtare të zhvilluar në Tiranë, pasi u pyet nga gazetarët nëse do t’i bashkohej tubimit apo do ta ndiqte atë nga zyra e tij. Në një deklaratë për mediat, teksa po hynte në selinë e Partisë Demokratike, Berisha u përqendrua te pjesëmarrja e qytetarëve dhe mbështetja që, sipas tij, po i jepet revoltës së studentëve.
“Sot, Shqipëria është e tëra në Tiranë në mbështetje totale të studentëve dhe kundër narkodiktatorit që po përdor dhunë barbare ndaj tyre”, deklaroi Berisha.
Berisha: Studentët kanë mbështetjen e opozitës
Kreu i opozitës pretendoi se në protestë janë bashkuar studentë, sindikata dhe forca politike opozitare, duke e cilësuar këtë mbështetje si një shprehje të kundërshtimit ndaj qeverisë.
Ai gjithashtu deklaroi se mijëra qytetarë nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë po udhëtojnë drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar tubimit.
“Me dhjetëra mijëra shqiptarë po vijnë nga të katër anët e vendit, kanë ardhur mbrëmë”, u shpreh Berisha.
Akuza të forta ndaj kryeministrit
Gjatë deklaratës së tij, Berisha përdori gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur zhvillimin e protestës me kundërshtimin ndaj qeverisë dhe mënyrës së trajtimit të protestave studentore.
“Beteja e narkodiktatorit, beteja e Edvin Kristaq Xhelatit ndaj studentëve do të jetë fundi i tij i turpshëm, fundi që meriton”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike.
Deri në përfundim të deklaratës për mediat, Berisha nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse do të ishte personalisht i pranishëm në tubim.
Ndërkohë, protesta në Tiranë zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa thirrjet për pjesëmarrje dhe paralajmërimet e Policisë së Shtetit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike kanë qenë në qendër të zhvillimeve të ditës, transmeton euronewsal.










