
Nga: Shefqet CAKOLLI
Sa herë që shkojmë në atdhe, ndihemi më të plotësuar. Madje, ndonjëherë më duket sikur jeta na shtohet, sikur marrim një frymë të re, një energji tjetër dhe një forcë që vetëm vendlindja di të na e japë. Aty ku janë rrënjët tona, aty ku çdo rrugë, çdo takim dhe çdo përshëndetje mbart një kujtim, njeriu e kupton se atdheu nuk është vetëm një vend në hartë, por një pjesë e shpirtit që e merr me vete kudo që shkon. Përmes pak fjalëve, dua ta përshkruaj vizitën time të fundit në Kosovë. Ishte një vizitë e shkurtër pune, por e pasur me takime, biseda të sinqerta, përvoja të ndara dhe mbi të gjitha me dashuri për traditën dhe kulturën tonë kombëtare. Gjithmonë në shërbim të traditës dhe kulturës shqiptare, duke takuar miq e bashkëpunëtorë, duke u konsultuar, shkëmbyer përvoja dhe duke bashkuar energjitë tona, sepse të gjitha këto takime kanë një qëllim të përbashkët: përgatitjen sa më dinjitoze të festave të Nëntorit.

Kështu ishte edhe takimi me profesorin dhe koreografin Dilaver Kryeziu, me të cilin vizituam Ansamblin „Kastriotët” në Ferizaj. Aty patëm kënaqësinë të zhvillonim një takim dhe bisedë të ngrohtë e mikpritëse me drejtorin e ansamblit, Musa Ahmeti, i cili na njoftoi nga afër për përgatitjet e festivalit të këngës, që do të mbahet më 5 dhjetor të këtij viti, si dhe përgatitjet për përvjetorin e kalimit në amshim të Bajram Tahirit. Janë pikërisht këto momente kur e kupton se kultura nuk mbahet gjallë vetëm me fjalë, por me punë, përkushtim dhe njerëz që nuk lodhen duke i shërbyer asaj. Tradita është kujtesa jonë kolektive, ndërsa ata që e ruajnë dhe e përcjellin te brezat e rinj, meritojnë respekt të veçantë.

Më pas, takimi me kompozitorin, kritikun dhe profesorin Sami Piraj ishte një tjetër mundësi për të shkëmbyer përvoja, mendime dhe biseda të sinqerta. Natyrisht, në qendër të diskutimit ishin edhe përgatitjet për festat e Nëntorit, të cilat SH.K.A. „DARDANIA” do t’i festojë pikërisht më 28 nëntor 2026, në Winterthur të Zvicrës.
Takimet vazhduan edhe me këngëtarin e ri Eroll Ahmeti, të cilin e vizituam në studion e tij. Aty shpalosëm programin dhe pikat artistike që do të prezantohen para publikut më 28 Nëntor. E kemi kënaqësinë ta kemi mysafir në këtë manifestim, së bashku me aktorin Fatmir Spahiu – Bufi, i cili do të jetë në cilësinë e moderatorit. Prania dhe kontributi i tyre padyshim do t’i japin edhe më shumë madhështi programit tonë artistik. Sepse 28 Nëntori nuk është thjesht një datë në kalendar. Është kujtesë, histori, krenari dhe përgjegjësi. Është dita kur zemrat shqiptare rrahin më fort, pavarësisht se në cilin cep të botës ndodhemi. Për ne që jetojmë në mërgatë, kjo ditë ka edhe një domethënie të veçantë: është një mundësi për t’ua përcjellë fëmijëve tanë gjuhën, kulturën, këngën, vallen dhe dashurinë për atdheun. Në këtë rrugëtim nuk duhet të anashkalojmë as sponsorët tanë, të cilët janë pjesë e rëndësishme e çdo organizimi dhe mbështetjeje kulturore.

Një falënderim i veçantë i takon firmës 2B në Prishtinë dhe drejtorit të saj, Fitim Bejtullahu, i cili na qëndron pranë sa herë që kemi nevojë. Mbështetja e tij e vazhdueshme është dëshmi se solidariteti dhe përkrahja për kulturën shqiptare nuk maten vetëm me fjalë, por dëshmohen me vepra. E falënderojmë përzemërsisht për mbështetjen e përhershme! Po ashtu, sot, nga ora 12:25, do të jemi pjesë e një programi televiziv në TV Dukagjini, ku do të trajtojmë tema që lidhen me mërgatën shqiptare dhe angazhimin e saj. Ne vazhdojmë përgatitjet tona për festat e Nëntorit me vullnetin më të madh, me përgjegjësi dhe me bindjen se çdo mund i dhënë për kulturën, traditën dhe identitetin tonë kombëtar është një investim për brezat që vijnë. Në fund, dua të them se vizitat në atdhe, sado të shkurtra qofshin, na lënë gjithmonë diçka të madhe në shpirt. Kthehemi në Zvicër me takime të bukura, me miqësi të ripërtërira, me ide të reja dhe me një mall edhe më të madh për vendin tonë. Sepse atdheu nuk na pret vetëm për të ardhur, por na thërret për të dhënë diçka nga vetja. E kur bëhet fjalë për kulturën, traditën dhe kombin, asnjë kilometër largësi nuk është pengesë për të shërbyer me zemër! Rroftë kultura shqiptare! Rroftë tradita jonë! Gëzuar festat e Nëntorit, kudo ku rreh zemra shqiptare!










