BallinaSportiPërfaqësuesja e Kosovës sonte përballë Irlandës në Ligën e Kombeve

Përfaqësuesja e Kosovës sonte përballë Irlandës në Ligën e Kombeve

-

Përfaqësuesja e Kosovës nis sonte një kapitull të ri në Ligën e Kombeve, teksa në stadiumin “Fadil Vokrri” pret Irlandën. Përballja zhvillohet në orën 20:45.

Prishtinë – Përfaqësuesja e Kosovës ka përfunduar përgatitjet për sfidën e parë në kuadër të edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Në kampin e “Dardanëve” mbizotëron atmosferë pozitive, ndërsa skuadra synon ta nisë me rezultat të mirë përballjen ndaj Irlandës. Përzgjedhësi Franco Foda e ka pranuar se Kosova e pret një grup me ndeshje të vështira, duke e cilësuar Austrinë si favorite. Megjithatë, trajneri gjerman ka bërë të qartë se objektivi kryesor i përfaqësueses është ruajtja e statusit në Ligën B, ndërsa një paraqitje e mirë mund të hapë rrugën edhe për objektiva më të larta.

“Na presin lojëra të vështira dhe Austria është favorite. Ne kemi qëllime të larta. Në radhë të parë dëshirojmë të mbesim në Ligën B, pastaj, nëse paraqitemi mirë, të vazhdojmë dhe të ngrihemi”, ka deklaruar Foda.

Muriqi kapiten i Përfaqësueses

Në prag të ndeshjes, Foda ka konfirmuar edhe ndryshimin në hierarkinë e kapitenëve. Sulmuesi Vedat Muriqi do ta mbajë shiritin e kapitenit të Përfaqësueses së Kosovës, ndërsa Mërgim Vojvoda do të jetë zëvendëskapiten.

“Kapiteni i Përfaqësueses do të jetë Vedat Muriqi. E kemi diskutuar këtë edhe me lojtarët. I dyti do të jetë Mërgim Vojvoda”, ka thënë Foda.

Muriqi pritet të jetë një prej lojtarëve kryesorë të Kosovës edhe në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Irlanda vlerëson Kosovën

Në kampin kundërshtar, përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, ka folur me respekt për Përfaqësuesen e Kosovës dhe në veçanti për kapitenin e ri, Vedat Muriqi.

“Vedat Muriqi ka shënuar 32 gola në 68 ndeshje dhe ka shtatë gola në 10 paraqitje për Fenerbahçen deri më tani këtë sezon. Por ka edhe lojtarë të tjerë që kërkojnë vëmendje, pasi janë lojtarë cilësorë”, ka deklaruar Hallgrímsson. Përballja në “Fadil Vokrri” pritet të zhvillohet para një atmosfere të zjarrtë, me Përfaqësuesen e Kosovës që kërkon ta nisë aventurën e re në Ligën e Kombeve me një paraqitje pozitive. Kosovë – Irlandë zhvillohet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Përkujtohet trevjetori i rënies në detyrë të Heroit Afrim Bunjaku

0
Prishtinë – Në Kosovë po zhvillohen sot një sërë aktivitetesh për shënimin e trevjetorit të rënies në krye të detyrës të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit të armatosur...