Një 31-vjeçare nga Mynihu po përdor një mënyrë të pazakontë për të gjetur punë në Zvicër. Pas rreth 150 aplikimeve të pasuksesshme, ajo vendosi të vendosë një pankartë në dritaren e banesës së të dashurit të saj në Schlieren, me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Kërkoj një punë në marketing”.
Lisa, 31 vjeçe, është specialiste marketingu nga Mynihu dhe prej muajsh po përpiqet të gjejë një vend pune në Zvicër. Qëllimi i saj është të zhvendoset pranë partnerit, i cili tashmë jeton dhe punon në rajonin e Cyrihut, transmeton 20min.ch. “Kam dërguar rreth 150 aplikime”, tregon ajo. Pavarësisht përvojës disa-vjeçare në marketing dhe një pozicioni të mirëpaguar në Gjermani, përgjigjet nga kompanitë zvicerane kanë qenë kryesisht negative. Lisa thotë se e ka përshtatur CV-në për pozicione të ndryshme dhe ka kontaktuar personalisht punëdhënësit. Ajo ka kërkuar vende pune përmes LinkedIn, Jobs.ch dhe faqeve të kompanive. Megjithatë, refuzimet vazhdonin të vinin. Në një rast, ajo vendosi të pyeste drejtpërdrejt një kompani pse nuk ishte përzgjedhur. Përgjigjja ishte se për atë pozicion kishin aplikuar rreth 150 persona.
Një ide e pazakontë
Pas muajsh kërkimesh, Lisa vendosi të ndryshojë strategji. Ajo preu shkronja dhe krijoi vetë një pankartë, të cilën e vendosi në dritaren e banesës së partnerit të saj në Schlieren.
Mesazhi ishte i thjeshtë dhe i qartë: “Kërkoj një punë në marketing”.
Ideja i lindi duke parë ndërtesën e zyrave përballë banesës. “Isha plot shpresë”, tregon ajo. Madje doli edhe jashtë për të parë se si dukej pankarta nga rruga dhe për të fotografuar rezultatin. Deri tani, megjithatë, nuk ka marrë ndonjë ofertë konkrete pune. Vetëm një grua nga ndërtesa përballë dhe një person nga i njëjti bllok e kanë kontaktuar për t’i thënë se ideja ishte kreative. Lisa e pranon edhe kufizimin e kësaj metode: pankarta mund të shihet nga shumë njerëz, por jo domosdoshmërisht nga personat që kërkojnë pikërisht një specialiste marketingu.
“Nuk mund ta imagjinoj veten në një profesion tjetër”
Lisa dhe partneri i saj kanë vendosur prej kohësh të zhvendosen në Zvicër. Ata kërkojnë një ndryshim në jetën e tyre dhe dëshirojnë të jetojnë pranë maleve dhe natyrës. Vendimin për Zvicrën e morën që në vitin 2024, por zhvendosja e plotë është vonuar. Partneri i saj tashmë e ka bërë hapin dhe punon në sektorin financiar në Cyrih. Lisa, ndërkohë, duhet të gjejë një punë para se të mund të zhvendoset përfundimisht.
“Unë nuk mund ta imagjinoj veten në një profesion tjetër”, thotë ajo për marketingun.
Ekspertja: Metoda mund të funksionojë
Ekspertja e karrierës Andrea Schoch e konsideron idenë e pankartës si një mënyrë që mund të funksionojë, por jo në çdo sektor.
Sipas saj, një qasje e tillë kreative është veçanërisht e përshtatshme për fusha si marketingu, komunikimi, shitjet, mediat, dizajni, eventet dhe përmbajtja digjitale. Në sektorë më formalë, si bankat, sigurimet, administrata, drejtësia apo disa profesione të shëndetësisë, një paraqitje tepër kreative mund të jetë më pak e përshtatshme. Pavarësisht zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe sistemeve të automatizuara të rekrutimit, aplikimi tradicional nuk ka humbur rëndësinë. CV-ja mbetet ende një nga mjetet kryesore për shumicën dërrmuese të punëdhënësve në Zvicër. Për Lisa-n, megjithatë, pas 150 aplikimeve pa rezultat, duket se ka ardhur momenti për të provuar diçka ndryshe. Një pankartë në dritare mund të mos jetë metoda më tradicionale për të gjetur punë. Por për një profesioniste marketingu, ndoshta pikërisht kjo është pika: të tregojë kreativitetin e saj para se të ulet përballë një punëdhënësi, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch.










