POSTIMET E FUNDIT

PANAIRI I LIBRIT SHQIP NE SHKUP

Nga Fatmir Toci

4 – 7 Qershor 2026

Sheshi “Skënderbeu “, Çair, Shkup

Panairi i Librit shqip në Shkup 2026, një festë kombëtare e librit dhe leximit që bën bashkë botues, shkrimtarë, studiues, lexues dhe dashamirës të librit dhe të kulturës shqiptare.

Shkupi, por edhe vendbanimet e tjera shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë qytete me tradita të vyera kulturore dhe me një rol të rëndësishëm në historinë, arsimin dhe jetën shpirtërore të shqiptarëve.

Libri mbetet edhe në ditët e sotme një nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit. Ai është kujtesë, dije, identitet dhe urë komunikimi ndërmjet brezave. Në kohë të ndryshimeve të mëdha teknologjike, libri vazhdon të mbrojë vlerat themelore të qytetërimit: mendimin kritik, dialogun, kulturën dhe humanizmin.

Ky panair nuk është thjesht një aktivitet tregtar apo kulturor. Ai është një festë e dijes dhe e fjalës së shkruar; një takim i autorëve me lexuesit, i ideve me publikun, i traditës me risitë e kohës sonë. Çdo libër i ekspozuar këtu mbart një histori, një përvojë njerëzore dhe një përpjekje për ta bërë shoqërinë më të ndriçuar e më të vetëdijshme.

Në mënyrë të veçantë, panaire të tilla kanë rëndësi të madhe për gjuhën dhe kulturën shqiptare, sepse forcojnë lidhjet tona shpirtërore e kulturore kudo ku jetojnë shqiptarët. Ato krijojnë hapësira bashkëpunimi ndërmjet botuesve, studiuesve, krijuesve dhe institucioneve kulturore në gjithë hapësirën shqiptare dhe më gjerë.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të rikthejmë vëmendjen te libri, sidomos te të rinjtë.

Një shoqëri që lexon është një shoqëri më e lirë, më demokratike dhe më humane.

Investimi më i mirë për të ardhmen mbetet investimi te arsimi, kultura dhe leximi.

Këto i kanë kuptuar dhe vlerësuar maksimalisht organizatorët e këtij eventi mbarëkombëtar, Komuna e njohur e Çairit në Shkup, me kryetarin e saj z. Izet Mexhiti, artëdashës dhe mbështetës i përhershëm i eventeve kulturore e artistike, në bashkëpunim me Institutin e Librit dhe të Promocionit (ILP) në Tiranë, të cilët me këtë tubim të parë kulturor në Shkup hedhin themelet e një pikëtakimi të përvitshëm të botës shqiptare të kulturës së shkruar me përfaqësuesit e saj më te shquar e të suksesshëm nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria.

I urojmë Tubimit të Librit sukses të plotë, shumë vizitorë, takime frymëzuese dhe sa më shumë libra në duart e lexuesve.

Ju presim ne Shkup, në zemër të Çarshisë, te Sheshi “Skënderbeu”, simbol i përbashkimit të Shqiptarëve, këtë radhë rreth fjalës së shkruar,

Librit dhe kulturës shqiptare.

(Në foto: Caush Vathi, Sheshi “Skënderbeu”, Çair, Shkup; 2024, 70 x 100, vaj në kanavacë).

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB