BallinaAtdheuOVL-UÇK paralajmëron protestë gjithëpopullore në Prishtinë

OVL-UÇK paralajmëron protestë gjithëpopullore në Prishtinë

-

Protesta do të mbahet të premten në sheshin “Skënderbeu”, pas zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar protestë gjithëpopullore në Prishtinë, pas zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Protesta është thirrur për të premten, më 18 shtator, duke filluar nga ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Gazmend Syla nga OVL-UÇK deklaroi se organizatat e dala nga lufta e konsiderojnë vendimin e fundit të padrejtë dhe kundërshtojnë, siç u shpreh ai, çdo përpjekje për të vendosur në të njëjtën peshore luftën e UÇK-së dhe zhvillimet e viteve 1998-1999.

“UÇK-ja nuk është kurrë ndërmarrje kriminale, kjo ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje. Asnjë vendim nuk mund ta njollosë luftën tonë çlirimtare apo të barazojë ata që luftuan për liri”, tha Syla.

Ai bëri të ditur se organizatat e dala nga lufta synojnë të kërkojnë një koordinim më të gjerë institucional dhe shoqëror, duke përfshirë edhe përfaqësues shqiptarë jashtë Kosovës.

Sipas Sylës, pritet të iniciohet krijimi i një këshilli koordinues kombëtar dhe i një platforme ku do të përfshiheshin përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora.

“Kësaj padrejtësie që iu bë drejtuesve të luftës së UÇK-së do t’i përgjigjemi me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në viset e tjera, qoftë Mali i Zi, qoftë Lugina e Preshevës, por edhe nga mërgata jonë”, deklaroi ai.

Platforma, sipas OVL-UÇK-së, do të synojë përfshirjen edhe të institucioneve të Kosovës dhe subjekteve politike në veprimet që organizatat e dala nga lufta planifikojnë të ndërmarrin gjatë procesit të apelimit.

“Do të kërkojmë krijimin e një strategjie kundërshtuese ndaj këtij vendimi deri në përfundim të procesit të apelit, ku kërkojmë përfshirjen e institucioneve tona, partive parlamentare, shoqërisë civile, institucioneve të tjera të cilat do të mund të kontribuonin në këtë drejtim”, tha Syla.

Ndërkohë, ai njoftoi se OVL-UÇK dhe disa shoqata të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve do ta prezantojnë platformën e tyre në një takim të paraparë për orën 16:30.

Syla bëri të ditur gjithashtu se organizatat e dala nga lufta do të marrin pjesë edhe në aktivitetin e paralajmëruar nga studentët.

“Organizatat e dala nga lufta sot në takimin që mbajtëm pak më herët me këshillin drejtues morëm vendim që të thërrasim protestë gjithëpopullore nesër në ora 12:00 në sheshin Skënderbeu”, tha ai.

Sipas tij, protesta e së premtes është pjesë e një reagimi më të gjerë të organizatave të dala nga lufta ndaj zhvillimeve në proceset gjyqësore që lidhen me ish-pjesëtarët dhe ish-drejtuesit e UÇK-së.

“Ju e dini, nuk është vendimi i padrejtë vetëm ky i djeshmi, bashkëluftëtarët tanë, ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë bukur gjatë kohës nën goditjet me ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi Syla.

OVL-UÇK dhe organizatat e tjera të dala nga lufta pritet që në ditët në vijim të paraqesin hapat e mëtejshëm të tyre lidhur me procesin e apelimit dhe mobilizimin institucional e shoqëror, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Presidenti Begaj vlerëson mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer për integrimin evropian

0
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot përfaqësuesit gjermanë të Fondacionit Konrad Adenauer: Dieter Althaus, ish-Kryeministër i Landit të Turingisë dhe Anëtar i Bordit...