Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Këshilli i Bashkimit Evropian të ndërmarrë hapa konkretë për avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke kërkuar nga Komisioni Evropian të japë mendimin për aplikimin e vendit për anëtarësim, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.
Këtë kërkesë Kurti e ka paraqitur gjatë takimit me përfaqësues të Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian në Parlamentin e Irlandës, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në këtë shtet. Gjatë takimit, kryeministri theksoi se procesi i integrimit evropian të Kosovës nuk duhet të mbetet më tej i bllokuar dhe se është e domosdoshme që Këshilli i BE-së të kërkojë mendimin e Komisionit Evropian për aplikimin e dorëzuar në fund të vitit 2022. Sipas Kurtit, ky hap do të ishte i rëndësishëm për nisjen e rrugëtimit zyrtar të Kosovës drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai nënvizoi se rëndësi për Kosovën nuk ka vetëm anëtarësimi përfundimtar në BE, por edhe vetë procesi i integrimit, përmes të cilit vendi synon të realizojë reforma institucionale, të forcojë sundimin e ligjit dhe të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve. Në takim morën pjesë kryesuesi i Komitetit, Barry Ward, anëtari Rúairí Ó Murchú, sekretari Ivan Farmer dhe drejtori për Zgjerim dhe Njësinë për Evropën Juglindore të BE-së, Frank Smyth. Kryeministri Kurti shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, duke vlerësuar kontributin e këtij shteti ndër vite, përfshirë strehimin e refugjatëve shqiptarë dhe pjesëmarrjen në misionin paqeruajtës të KFOR-it. Kosova e dorëzoi zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, ndërsa kërkesa për shqyrtimin e tij mbetet një nga çështjet kryesore në rrugën e vendit drejt integrimit evropian, transmeton rtk.










