Është mbyllur protesta e qytetarëve para Kryeministrisë, e cila sot shënoi ditën e 85-të saj, ku u bënë sërish thirrje për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Qytetarët, sikurse çdo ditë, u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku shprehën edhe njëherë se nuk do të heqin dorë nga lëvizja e tyre derisa Rama të japë dorëheqjen.
Fjalën e morën aktivistë dhe qytetarë të thjeshtë, të cilët përsëritën 5 kërkesat e tyre të panegociueshme si dhe artikuluan korrupsionin, keqqeverisjen, ndërsa bënë thirrje për më shumë pjesëmarrje në vijim.
Aktivisti Arben Kola theksoi se ata nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre për largimin e kryeministrit dhe se çdo tentativë për të bërë ndryshime në kabinetin qeveritar nuk do të pranohet nga protestuesit në shesh.
“Nuk duam asnjë ministri dhe asnjë ndryshim kabineti. Fasadat me ndryshim kabineti nuk pinë më ujë për popullin shqiptar. Ai po të dojë të ndryshojë të gjithë kabinetit, për ne nuk përbën aspak lajm. Objektivi është i qartë, rrëzimi i Ramës, i qeverisë, qeveri teknike e me radhë. I pabesi nuk ka besë”, tha ai.
Një tjetër theksoi se kryeministri ndodhet nën një presion të jashtëzakonshëm nga protesta, megjithëse ai përpiqet të tregohet si i fortë.
“Edhe sot me paraqitjen publike, në një presion të jashtëzakonshëm, po përpiqet të na tregojë se është i fortë. Por sa herë përpiqet të tregojë se është i fortë dhe nuk po ndjen presionin e kësaj proteste, në fakt është një përpjekje e tij për të fshehur frikën që e ka kapluar për 85 ditë.”, tha aktivisti. I pranishëm ishte edhe aktori Mehdi Malkaj, i cili ironizoi teksa tha se kanë aq shumë frikë nga protestuesit, saqë i numërojnë çdo ditë se sa janë.
“O nëne o nëne si do të ikin këta? Këta do të ikin me brekë nëpër këmbë.”, tha aktori.
Ish luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj theksoi se Rama duhet të japë dorëheqjen jo vetëm për kërkesën e qytetarëve, por edhe për dinjitetin e shtetit, i cili nuk mund të udhëhiqet më nga një person që i ka nxjerr tokat e saj në pazar.
““Duhet të japë dorëheqjen jo për dëshirën tonë por për dinjitetin e një shteti shqiptar, që nuk mund të udhëhiqet më nga një kryeministër që i dha trojet e atdheut në pazar.”, tha ai.
Mesazhe u përcollën edhe përmes pankartave./BS










