NJU JORK, 24 shtator 2026 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin informues të Bordit të Paqes, të zhvilluar në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në takim morën pjesë edhe Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës dhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë. Në qendër të diskutimeve ishin përpjekjet ndërkombëtare për të adresuar krizën humanitare në Gaza, si dhe masat për krijimin e kushteve për siguri, stabilitet dhe rimëkëmbje.
Gjatë takimit, ministri Hoxha theksoi se Shqipëria po mbështet në mënyrë aktive përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Gaza. Ai veçoi edhe kontributin e Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), në përputhje me Rezolutën 2803 të vitit 2025 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe planin 20-pikësh të Presidentit amerikan Donald Trump për Gazën.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të punuar ngushtë me partnerët tanë për t’i përkthyer këto angazhime në përmirësime të prekshme në jetët e njerëzve të Gazës, duke ndihmuar në krijimin e kushteve për një të ardhme më të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë për të gjithë”, deklaroi Hoxha.
Sipas qëndrimit të shprehur nga pala shqiptare, angazhimet ndërkombëtare synojnë të adresojnë një sërë çështjesh, duke nisur nga nevojat humanitare dhe siguria, deri te stabiliteti, rimëkëmbja ekonomike dhe zhvillimi afatgjatë i Gazës.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këto përpjekje vjen në kuadër të angazhimeve të saj ndërkombëtare dhe bashkëpunimit me partnerët për të kontribuar në proceset që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Takimi në Nju Jork shërbeu gjithashtu si një mundësi për koordinimin e mëtejshëm ndërmjet vendeve dhe institucioneve të përfshira në përpjekjet për Gazën, me fokus në konkretizimin e angazhimeve ndërkombëtare dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për popullsinë civile, transmeton rtsh.










