BallinaEKSKLUZIVETre shtete, një mërgatë: Fotografia që po flet më shumë se fjalët

Tre shtete, një mërgatë: Fotografia që po flet më shumë se fjalët

-

Screenshot

Nga Dashnim HEBIBI

Cyrih, 24 shtator 2026 – Ka fotografi që nuk kanë nevojë për shumë shpjegime. Mjafton t’i shohësh dhe kupton mesazhin. E tillë është edhe fotografia e takimit të sotëm në Zvicër mes tre përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë: Ambasadorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sh.T. Rexhep Demiri, Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Sh.T. Ermal Dredha, dhe Shefit të Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha. Ambasadori Rexhep Demiri priti sot paradite në një takim miqësor e vëllazëror Ambasadorin Ermal Dredha dhe z. Vigan Berisha. Sipas asaj që mëson HelveticALForum.ch në qendër të bisedës ishte mërgata shqiptare në Zvicër dhe mundësitë për bashkëpunim e koordinim ndërmjet përfaqësive të tri shteteve.

Takimin e përshkroi vetë z. Vigan Berisha përmes një postimi në rrjetet sociale:

“Takim vëllaznor me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Sh.T. z. Ermal Dredha dhe Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sh.T. z. Rexhep Demiri, për t’i falënderuar për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe bashkëpunimin vëllazëror.”

Një frymë që po bëhet gjithnjë e më e dukshme

Takimi i sotëm nuk duket si një episod i izoluar. Në vitet e fundit janë parë disa raste të bashkëpunimit dhe pranisë së përbashkët të përfaqësuesve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në aktivitete që lidhen me komunitetin shqiptar në Zvicër. Vetë Ambasada e Shqipërisë në Zvicër ka dokumentuar më herët takime të përbashkëta dhe bashkëpunim me përfaqësuesit e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa në mars të këtij viti Ambasadori Ermal Dredha dhe Ambasadori Rexhep Demiri zhvilluan një takim ku diskutuan rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare në Zvicër dhe shprehën gatishmërinë për komunikim të vazhdueshëm në mbështetje të komunitetit shqiptar.  Edhe në aktivitete të tjera të vitit 2026, përfaqësuesit e tri shteteve kanë qenë së bashku pranë komunitetit shqiptar. 

Kjo e bën fotografinë e sotme edhe më domethënëse.

Sepse mërgata shqiptare në Zvicër nuk është e ndarë sipas kufijve shtetërorë. Ajo përbëhet nga shqiptarë që kanë prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Presheva, Medvegja, Bujanoci, Mali i Zi dhe nga të gjitha trevat shqiptare. Kufijtë shtetërorë janë realitet politik e juridik. Por gjuha, kultura, tradita, kujtesa historike dhe lidhjet familjare krijojnë ura që i kapërcejnë ata.

Tri institucione, një komunitet

Prania e përbashkët e diplomatëve nuk do të thotë se tri shtetet janë një shtet, as se institucionet e tyre nuk kanë interesa dhe përgjegjësi të ndryshme. Përkundrazi, secili përfaqëson shtetin e vet. Por pikërisht këtu qëndron rëndësia e bashkëpunimit. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut mund të jenë tri shtete, por në Zvicër kanë një komunitet shqiptar që i lidh në mënyrë të natyrshme. Dhe kur përfaqësuesit institucionalë arrijnë ta shohin këtë realitet jo si pengesë, por si mundësi për bashkëpunim, përfituesi i parë është vetë mërgata. Kjo frymë është parë edhe më herët. 

Mërgata e sheh dhe e vlerëson

Për shqiptarët që jetojnë në Zvicër, këto pamje kanë një peshë të veçantë. Sepse mërgata nuk kërkon vetëm shërbime konsullore. Ajo kërkon edhe afërsi, komunikim, respekt dhe bashkëpunim institucional. Kur një shqiptar nga Kosova sheh ambasadorin e Shqipërisë dhe ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në të njëjtën tryezë me përfaqësuesin e Kosovës, ai sheh diçka më shumë se një takim diplomatik.

Sheh një mesazh.

Mesazhin se dallimet administrative dhe shtetërore nuk duhet të kthehen në ndarje mes njerëzve të një kombi. Se mund të përfaqësosh shtetin tënd dhe njëkohësisht të respektosh atë që na bashkon de tekefundit jemi të një kombi e pavarësisht se jemi të shpërndarë në disa shtete. Se diplomacia mund të jetë edhe urë mes njerëzve.

Zvicra si shembull

Zvicra, me komunitetin e madh shqiptar dhe me traditën e saj të bashkëjetesës mes kulturave e gjuhëve të ndryshme, duket se po bëhet një terren ku kjo frymë mund të shihet në praktikë. Në aktivitete kulturore, ekonomike, kombëtare, humanitare e shoqërore, përfaqësues të institucioneve shqiptare nga tri shtetet janë gjithnjë e më shpesh pranë njëri-tjetrit. Këto nuk janë thjesht fotografi protokollare. Ato krijojnë një perceptim të ri të diplomacisë shqiptare në Zvicër: më të hapur, më komunikative dhe më pranë mërgatës.

Fotografia që thotë shumë

Ndoshta kjo është arsyeja pse fotografia e sotme flet më shumë se dhjetëra paragrafë. Tre burra që përfaqësojnë tri shtete. Tri institucione. Tri përgjegjësi diplomatike.

Por përballë tyre një realitet i përbashkët: mërgata shqiptare në Zvicër. Një gjuhë e një komb!

Dhe nëse kjo frymë vazhdon, ajo mund të bëhet një shembull se si bashkëpunimi institucional mund të shndërrohet në forcë pozitive për komunitetin. Sepse shqiptarët e Zvicrës kanë nevojë t’i shohin institucionet e tyre pranë njëri-tjetrit. Të bashkuara aty ku i bashkon interesi i mërgatës dhe respekti për gjuhën, kulturën, traditën dhe historinë e përbashkët. Tre shtete. Tre institucione. Një mërgatë. Një urë bashkëpunimi.

Dhe ndoshta mesazhi më i fuqishëm i kësaj fotografie është pikërisht ky:

BASHKË DHE VETËM BASHKË – aty ku na bashkon interesi i përbashkët.

Jemi të ndarë në tre shtete, por na bashkon një komb. Kufijtë shtetërorë përcaktojnë institucionet dhe përgjegjësitë tona, por nuk mund ta ndajnë gjuhën, kulturën, traditën, historinë dhe lidhjet njerëzore që na bashkojnë. Prandaj, kur institucionet tona bashkëpunojnë, sidomos për mërgatën, japin një mesazh të fuqishëm: mund të jemi qytetarë të tre shteteve, por mbetemi një komb. Tre shtete. Një komb. Një gjuhë. Një kulturë. Një mërgatë.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Ansambli “TROJET” uron Konsullin e Përgjithshëm Vigan Berisha për detyrën e re

0
Winterthur – Ansambli i Këngëve dhe Valleve “TROJET” Winterthur i ka përcjellë një telegram urimi Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, me rastin e njohjes së tij zyrtare...