Nga Keze Kozeta Zylo
Në mjediset e Vista Ballroom, ku Hëna blu në qiell dukej sikur rezononte me ndërtesat madhështore që shkëlqenin nga miliona dritëza njujorkeze përmes dritareve të qelqta, Motrat Qiriazi sollën një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve, pasi preku shpirtin, zgjoi emocionet dhe na kujtoi se sa e çmuar është jeta. E tillë ishte mbrëmja e organizuar nga AAWO “MOTRAT QIRIAZI”, nën drejtimin plot mirësi dhe kulturë të presidentes Eva Burnazi dhe ekipit të saj, kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, forcës së gruas dhe mesazhit të fuqishëm se asnjë grua nuk duhet të ndihet e vetme në këtë betejë.
Nga kontributi i madh i ish-presidentes, avokates Beti Beno e cila është themeluese e Beti Beno Law Group, PC. te angazhimi i ri i Eva Burnazit, të dyja kanë dhënë kontributin e tyre në vazhdimësinë e vlerave, të kulturës dhe të përkushtimit që e bëjnë këtë organizatë një emër të respektuar në shërbim të komunitetit shqiptar.
Organizata e mirënjohur “Motrat Qiriazi” është një emër që mbart histori, kulturë dhe identitet kombëtar. Një emër i madh që kërkon punë, përgjegjësi dhe përkushtim për ta çuar përpara misionin e saj fisnik.
Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte përshëndetja e grave të mbijetuara nga kanceri i gjirit. Fjalët e tyre, të mbushura me emocion, forcë dhe mirënjohje për jetën, përcollën një mesazh që shkoi drejt e në zemrat e të pranishmëve. Pas çdo buzëqeshjeje qëndron një histori, pas çdo historie një betejë dhe pas çdo beteje një forcë e jashtëzakonshme për të jetuar, për të besuar dhe për të mos u dorëzuar kurrë. Ato janë dëshmi të gjalla se shpresa mund të triumfojë dhe se dashuria, mbështetja dhe diagnostikimi i hershëm kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Për to, duartrokitjet ishin më shumë se një përshëndetje: ishin një përqafim i madh njerëzor.
Me një përshëndetje të ngrohtë dhe plot ndjenjë, presidentja Eva Burnazi iu drejtua të pranishmëve, duke përcjellë mesazhin e misionit, përgjegjësisë dhe përkushtimit të shoqatës “Motrat Qiriazi”. Fjalët e saj shprehën jo vetëm rëndësinë e kësaj kauze, por edhe vlerat që e mbajnë gjallë organizatën: dashurinë për gruan shqiptare, solidaritetin, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shërbimin ndaj komunitetit.
“Motrat Qiriazi” nuk janë thjesht një emër, por një trashëgimi, një simbol dhe një përgjegjësi e madhe. Të frymëzuara nga emri i motrave të shquara që i shërbyen arsimit dhe çështjes kombëtare shqiptare, kjo organizatë ka ndërtuar identitetin e saj mbi përkushtimin, seriozitetin dhe veprimtarinë në shërbim të kombit. Një emër i madh kërkon punë të madhe, dinjitet dhe vazhdimësi, vlera që shoqata synon t’i përfaqësojë përmes çdo veprimtarie dhe nisme të saj.
Mirënjohje e veçantë për filantropisten simpatike dhe fisnike, general sponsor znj. Fotini Allteni Kokeri, për shpirtin human, bujarinë dhe mbështetjen që e bëjnë filantropinë një akt të bukur dashurie dhe solidariteti. Njerëzit që japin nga zemra lënë gjurmë që nuk maten me fjalë, por me shpresën që mbjellin te të tjerët.
Të ftuarat speciale ishin Dr. Amantia Kennedy, MD, shkrimtarja Mira Kazhani dhe mjekja okuliste Mirela Krasniqi, të cilat e pasuruan veprimtarinë me praninë dhe mesazhet e tyre. Një moment i veçantë ishte edhe firmosja personale e librave nga Mira Kazhani, e mbijetuar nga kanceri i gjirit. Ky ishte një gjest i bukur që u la pjesëmarrësve kujtime të çmuara.
Duke dëgjuar dëshmitë e tyre kaq kurajoze dhe plot mesazhe, m’u kujtua aktorja e famshme amerikane Shannen Doherty, e cila e përjetoi vetë këtë betejë dhe shprehej: “Përpiqem t’i vlerësoj të gjitha ato momente të vogla që shumë njerëz nuk i vënë re ose i marrin si të mirëqena. Brenda nesh ekziston një burim i pashtershëm force për të përballuar vështirësitë dhe për të parë bukurinë e jetës.” Dr. Zana Nikolla ndërgjegjësoi gjithashtu të pranishmit për rëndësinë e kryerjes së kontrolleve mjekësore periodike. Ajo është mjeke gastroenterologe e certifikuar nga bordi përkatës profesional në SHBA, me mbi dy dekada përvojë klinike, akademike dhe drejtuese në fushën e gastroenterologjisë.
Kjo mbrëmje dëshmoi se “Motrat Qiriazi” dinë të bashkojnë humanizmin me kulturën, ndërgjegjësimin me artin dhe traditën kombëtare me përgjegjësinë qytetare. I takova me radhë, me shumë respekt, zonjat simpatike të humanizmit dhe me kontribute të vyera në Bord: Agathia Luka, Albana Konci, Vjollca Pepi, Ariana Elezaj, Loreta Stamo, Ana Marky Walsh, Jul Ymeraj, Nila Amg dhe shumë të tjera qe iu kerkoj ndjese qe s’mund t’I permend te gjitha. “Motrat Qiriazi” janë një organizatë serioze, me një emër të madh dhe me një mision që shkon përtej një veprimtarie të vetme: t’i shërbejë gruas, komunitetit dhe kombit shqiptar, duke ruajtur me dinjitet trashëgiminë që mbart emri i saj.
Dhe pastaj erdhi muzika dhe salla u ndez nga emocionet!
Kur në skenë dolën artistet e dashura, yjet e shndritshëm të kombit, si Vaskë Curri, Deshira Ahmeti Kerliu dhe Merita Halili, nën interpretimin e shkëlqyer të yllit të klarinetës, Igli Tuga dhe organistit te talentuar Dritan Papa, tingujt u ngritën si një urë mes zemrave, duke i dhënë mbrëmjes një bukuri të veçantë.
Ishte ajo magji që vetëm muzika di të krijojë: të prekë shpirtin, të zgjojë mallin, të bashkojë njerëzit dhe ta kthejë një mbrëmje në një kujtim të paharrueshëm.
Atmosfera mori një tjetër ngjyrë. Zërat e tyre, këngët që zgjojnë kujtime dhe tingujt që prekin shpirtin e publikut e shndërruan mbrëmjen në një festë të vërtetë të kulturës dhe muzikës shqiptare.
Duartrokitjet u bënë më të forta, buzëqeshjet më të ndritshme dhe zemrat rrahën në një ritëm të vetëm. Salla u mbush me energji, emocion dhe krenari shqiptare. Për disa çaste, muzika i bashkoi të gjithë: gratë që kanë luftuar, familjet që i kanë mbështetur, miqtë, artistët dhe të gjithë ata që besojnë te forca e jetës.
Në emër të shoqatës AAWO “Motrat Qiriazi” dhe presidentes Eva Burnazi, një falënderim i përzemërt shkoi për gratë e mbijetuara që ndanë historitë dhe forcën e tyre, për filantropisten Foti Kokeri, për artistet e shquar Kerliu, Halili, Curri, muzikantin e famshëm Igli Tuga, të ftuarat speciale dhe për çdo pjesëmarrës që u bë pjesë e kësaj mbrëmjeje plot ndjenjë dhe kuptim.
Dashuri dhe respekt për çdo grua që lufton, për çdo grua që ia doli dhe për çdo familje që shpreson. Për jetën që meriton të festohet çdo ditë! Së bashku për jetën! Së bashku për shpresën!
Së bashku për kombin! Kanceri i gjirit mund të lërë shenja në trup, por nuk mund ta shuajë dritën e shpirtit, forcën e zemrës dhe dëshirën për të jetuar. Mbijetesa ne cdo gje si shqiptare na ka mësuar se çdo ditë është një dhuratë dhe çdo çast dashurie një mrekulli. Sot ju nuk jeni vetëm një grua që e keni kaluar këtë betejë; jeni një zë i shpresës për çdo grua që po lufton. Mos e humbni kurrë besimin, sepse jeta është më e forte dhe e sfidon friken. Kjo mbremje do të ngelet si një festë e jetës dhe e guximit. Faleminderit Motrat “Qiriazi”! /GD










