BallinaDiasporaMirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës

Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës

-

Më 8 nëntor 2026, në Restorantin Gaia në New York, Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi” organizoi dhe sponsorizoi një seminar edukativ ku u trajtua lidhja mes mirëqenies mendore dhe shëndetit të sistemit tretës. Takimi u mbajt në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptaro-Amerikane të Gastroenterologjisë (AAGA) dhe me Wellbeing by Valbona.

U shqyrtuan mënyra se si gjendja e sistemit tretës ndikon në shëndetin mendor dhe anasjelltas. Të pranishme ishin tri eksperte: Dr. Pajtesa Kukaj, psikiatre dhe drejtore e Departamentit të Urgjencës në Montefiore Medical Center; Dr. Zana Nikolla, mjeke e gastroenterologjisë, profesore assistente në Fakultetin i Mjekësisë Donald dhe Barbara Zucker pranë Universitetit Hofstra/Northwell dhe themeluese e AAGA-së; si dhe Valbona Avdija, infermiere e specializuar në përkujdesin mendor dhe themeluese e Wellbeing by Valbona.

Dr. Kukaj foli për nevojën që shëndeti mendor të flitet haptas në familje dhe në komunitet, pa paragjykime, dhe që gratë në nevojë të marrin trajtimin e duhur. Dr. Nikolla shpjegoi lidhjen e ngushtë ndërmjet sistemit tretës dhe shëndetit mendor, duke theksuar se problemet me tretjen mund të ndikojnë në mirëqenien tonë mendore, ashtu siç stresi dhe shqetësimet e vazhdueshme mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit tretës. Ndërkaq, Valbona Avdija theksoi se mirëqenia mendore nuk nënkupton vetëm mungesën e shqetësimeve emocionale apo mendore, por edhe aftësinë për t’u ndier mirë me veten, duke u kujdesur për shëndetin, ushqimin dhe marrëdhëniet me njerëzit e afërt.

Në përfundim, folëset u bënë thirrje grave që të kujdesen njëkohësisht për shëndetin e sistemit tretës dhe për mirëqenien mendore, përmes ushqimit, mënyrës së jetesës dhe ndihmës mjekësore kur është nevoja.

Në këtë takim përdorëm termin “mendor”, meqë kishim në mesin tonë mjeke e specialiste të kësaj fushe. Mirëpo, për ne shqiptarët, kjo nuk është diçka e panjohur. Vetëm se i kemi thënë ndryshe: gjendje shpirtërore.

Më kujtohet se Dr. Zana Dobroshi, psikiatre e njohur që prej vitesh u ka ofruar ndihmë vullnetare anëtareve të AAWO “Motrat Qiriazi” përmes AAWO Mental Health Clinic, kishte propozuar që klinika të quhej Emotional Health Clinic. Ky propozim më shtyu të mendoj se shëndeti mendor nuk është një temë e re për ne aq sa mund të na duket sot. Edhe dikur i njihnim këto gjendje, vetëm se, në vend të shëndetit mendor, flisnim për gjendjen shpirtërore.

Kur dikush ishte i mërzitur, tërhiqej në vetvete apo nuk gjente gëzim, kënaqësi, apo përmbushje në asgjë, thoshim se “e ka shpirtin të rënduar”. Nuk e quanim depresion, por e kuptonim se diçka nuk ishte në rregull. E ilaçi ynë i parë? Një kafe, një muhabet i gjatë, një pjatë e ngrohtë, e nganjëherë edhe një vizitë e palajmëruar. Kaq dinim e kaq mundnim, por të paktën përpiqeshim tja lehtësonim pak shpirtin njëri tjetrit.

Ndoshta pikërisht fjala ‘shpirtërore’ ju hiqte paksa peshën e shqetësimeve për të cilat flisnim. Sepse, fundja, kush nuk e ka pasur ndonjëherë shpirtin të rënduar? Natyrisht, paragjykimet nuk kanë munguar as te ne, por brengën e shpirtit e kemi njohur gjithmonë si pjesë të jetës.

Sot dimë ti njohim e ti emërtojmë më saktë keto shqetësime dhe, fatmirësisht, kemi edhe psikologë, psikiatër e profesionistë të tjerë që na ndihmojnë. Kafja e “muhabeti” vazhdojnë ta kenë vendin e vet, por tani e dimë se, shpeshherë, nuk mjaftojnë. Sa mirë që sot, krahas ngrohtësisë së njerëzve tanë, kemi edhe mundësi të marrim ndihmen e duhur profesionale, pa ndrojtje e pa turp.

Prandaj nuk kemi pse të ndihemi të turpëruar apo të paragjykuar kur kërkojmë ndihmë profesionale. Nuk po përballemi me diçka të re. Vetëm se sot dimë më shumë dhe kemi mundësi të kujdesemi më mirë për veten dhe për njëri tjetrin.

Nëse dikur nuk kishim turp të thoshim “e kam shpirtin të rënduar”, përse të kemi turp sot të kërkojmë ndihmë për ta lehtësuar?

Falënderim të veçantë për Dr. Pajtesa Kukaj, Dr. Zana Nikolla dhe Valbona Avdija për kohën dhe ekspertizën që ndanë me ne, si dhe të gjitha atyre që morën pjesë në këtë takim, që dëgjuan me vëmendje dhe që e pasuruan bisedën me pyetjet dhe me praninë e tyre. Na gëzoi veçanërisht të shihnim kaq shumë fytyra të reja të grave të forta shqiptare që po marrin në dorë shëndetin e tyre. /GDielli

Me shumë respekt dhe dashuri,

Eva Milo Burnazi

Foto: Arbëri Hetemi

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kriza e lindshmërisë thellohet, Shqipëria përballet me plakjen e popullsisë

0
Korça me bilancin më negativ, ndërsa Tirana mban peshën kryesore të shtesës natyrore të popullsisë. Rënia e lindjeve dhe emigracioni po thellojnë shqetësimet për...