BallinaKulturaA egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?

A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?

-

Nga Virgjil Kule

A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?

Disa thonë jo, por të vërtetën e tregojnë hartat e kohës! Koncepti i kombit (nacion) në shekullin e XV ka egzistuar, ndonëse disi i ndryshëm nga koncepti modern i tij. Fjala nacion (nation) që në shqip i themi komb, rrjedh nga fjala latine “natio” që do të thotë lindje, pra një grup njerëzish me vendlindje, gjuhë dhe zakone të përbashkëta. Dokumente të shekullit të XV të qëmtuara nëpër unversitetet dhe koncilet kishtare të kohës e përdorin termin “nation” për të emërtuar vendasit e një principate ose të një rajoni të caktuar që kishin vendlindje, gjuhë dhe zakone të përbashkëta si psh për Katalanët nga principata e Katalonjës nen kuroren aragoneze.

Gjatë shekullit të XV disa popuj filluan t’i binden jo më feudalëve të vecantë, por autoritetit të monarkive të centralizuara si psh në Spanjën aragoneze, në Francë dhe Angli. Monarkët e kompaktësuan sundimin e tyre territorial në një para-komb (proto-nacion) nëpërmjet rregjistrimeve të popullsisë për cështje taksash dhe shërbimi ushtarak.

Në vitin 1380 Bibla u përkthye nga John Wycliffe në gjuhën e popullsisë së Anglisë që aso kohe ishte e ashtuquajtura “anglishte e mesme”. Kjo përbënte sfidën e parë ndaj “proto-kombit thjesht në bazë të religjionit” prej “proto- kombit kryesisht në bazë të gjuhës. Për më tepër, zhvillimet shkencore në gjeografi, ekonomi politike dhe sidomos në hartografi bënë që territore gjithnjë e më të mëdha të përcaktohen vizualisht dhe në koncept si entitete më vete që përfshinin një shumice feudesh të vogla të cilat gjithnjë e më rrallë pasqyroheshin nëpër harta.

Jo rastësisht në hartat primitive të shekullit XV dallohet qartë territori i madh në jugperëndim të Ballkanit që emertohej Albania.

Hartografët e kohës e panë të udhës që brenda Albania-s së madhe të shënonin edhe principatat e ndryshme që përbënin territorin e saj. Kjo do të thotë që procesi i unifikimit në bazë të vendlindjes, gjuhes shqipe dhe zakoneve sapo kishte zënë fill edhe në këtë zonë të Ballkanit. Në Albania-n e shekullit të XV koncepti i kombit (Nacion) po reflektonte tranzicionin europian nga sundimet feudale të fragmentuara në njësi më të mëdha gjeografiko-politike. E vecanta në rastin tonë është se ky koncept u konsolidua në kushte specifike të diktuara nga invazioni otoman.

Katalizatori më i spikatur për forcimin e një ndërgjegjeje kombëtare u bë Lidhja e Lezhës (1444). Ajo mblodhi bashkë feudalë të vecantë nën një konfederatë ushtarake dhe diplomatike. Bashkimi politik u bë pikërisht mbi bazën e gjuhës, fesë dhe zakoneve të ngjshme. Ideja ishte mbrojtja e kësaj pakete civilizimi nga pushtimi osman.

Në periudhën skënderbejane (1443-1468) Arbëria ose Albania sikundër emërtohet në hartat e asaj periudhe, lidhi një aleancë të ngushtë pikërisht me mbretërinë aragoneze dhe trupat ushtarake katalanase ishin disa herë të pranishëm në territorin e saj. Bashkë me influencën katalanase kishte hyrë edhe koncepti gjeografik i proto-kombit, pra në hartat e tyre e te shteteve italike shqiptarët ose arbërorët identifikoheshin brenda këtij territori (Albania) në bazë të perbashkësisë në vendlindje, në gjuhë, në zakone dhe në religjion.

Që këtej kuptohet qartë se Gjergj Kastrioti luftoi pikërsisht për të mbrojtur “kombin” e tij nga një armik që tashmë kishte pushtuar pjesën më të madhe të Ballkanit. Ndaj me të drejtë atë e quajmë Hero Kombëtar. Pas vitit 1478 procesi i ndërgjegjësimit kombëtar u ndërpre brutalisht nga pushtimi osman. Ai u filloi të ringjallet 5 shekuj më vonë nga rilindasit, të cilët evokuan periudhën e Lidhjes se Lezhës dhe Skënderbeut si përpjekjen e parë te sukseseshme komb-formuese në trojet shqiptare. /GD

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

POLICIA E SHTETIT NËN SHËNJESTËR RRJETET E KANABISIT, HITa: DO TË...

0
Policia e Shtetit synon të kalojë nga zbulimi i parcelave me kanabis te goditja e plotë e organizatave kriminale që financojnë, kultivojnë, shpërndajnë dhe...