BallinaDiasporaMinistri Hoxha pritet në Madrid nga homologu Albares

Ministri Hoxha pritet në Madrid nga homologu Albares

-

Tirana dhe Madridi zyrtar kanë rikonfirmuar vullnetin për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, me theks të veçantë në ekonomi, turizëm dhe në procesin e integrimit evropian. Gjatë një vizite zyrtare në Spanjë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me homologun e tij spanjoll, José Manuel Albares Bueno, vizitë që përkon me 40-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Fokus te potenciali i pashfrytëzuar ekonomik

Ndonëse bashkëpunimi politik dhe kulturor është konsoliduar ndër vite, të dy kryediplomatët ndanë qëndrimin se ekziston ende një “potencial i konsiderueshëm i pashfrytëzuar” në marrëdhëniet mes dy shteteve.

Sipas Ministrit Hoxha, qeveria shqiptare është e “përkushtuar të zhvillojë më tej partneritetin strategjik, duke vënë në shënjestër fusha me interes të ndërsjellë si tregtia, turizmi dhe energjia e qëndrueshme”. Një theks i veçantë iu kushtua sektorit të turizmit, ku u diskutua mbi mundësitë reale për rritjen e pranisë së investitorëve spanjollë në industrinë shqiptare të mikpritjes.

Mbështetje teknike dhe politike për rrugëtimin në BE

Një tjetër shtyllë qendrore e bisedimeve ishte rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ministri spanjoll Albares vlerësoi progresin e bërë nga Tirana zyrtare dhe ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Spanjës.

Kryediplomati spanjoll theksoi gatishmërinë e vendit të tij për t’i ofruar institucioneve shqiptare asistencën e nevojshme teknike për përmbushjen e standardeve evropiane. Nga ana e tij, Hoxha shprehu mirënjohjen e thellë për këtë mbështetje të vazhdueshme, duke rikonfirmuar “angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare në zbatimin e reformave”.

Bashkërendim në arenën ndërkombëtare

Përtej agjendës dypalëshe, takimi në Madrid shërbeu edhe për të harmonizuar qëndrimet e dy vendeve në përballimin e krizave globale.

Përmes një reagimi në rrjetin social X pas takimit, kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi rëndësinë e një multilateralizmi efektiv dhe nevojën për koordinim të ngushtë në forumet ndërkombëtare. Qëllimi i përbashkët, theksoi ai, mbetet adresimi i “sfidave globale dhe promovimi i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Reuters: Rrezikohet furnizimi global me naftë, Arabia Saudite mbyll tubacionin strategjik!

0
Arabia Saudite ka mbyllur tubacionin e saj Lindje-Perëndim, pasi kjo linjë jetike për transportin e naftës u godit nga ajri, në një kohë kur...