Nga Fitim Zekthi
Gjithnjë militantët dhe ekstremistët janë dalluar për një paaftësi monumentale për të menduar vetë, për të analizuar nëse një gjë është kështu apo ashtu, për të parë argumentet që ka një çështje në favor dhe ato që ka në disfavor. Ata kurrë nuk e bëjnë pyetjen nëse mund të jenë gabim. Kjo pyetje është një blasfemi për ta. Ata kanë një varësi totale nga ndjekja e verbër e asaj që kanë ngulitur në kokë si të vërtetë dhe kushdo që, në një mënyrë apo në një tjetër, mund t’ua prekë atë, kthehet menjëherë në objekt sulmi, sepse në fakt ka bërë diçka “të tmerrshme”. Ai ka prekur idhullin, objektin e adhurimit të tyre, arsyen e ekzistencës së tyre. Ai shndërrohet në këtë moment në një armik për vdekje.
Një militant, një ekstremist (konspiracionistët hyjnë përgjithësisht këtu, sepse konspiracioni krijon lidhje të shkurtra dhe shpjegime elementarisht të thjeshta), kur vihet përballë një argumenti, nuk merret me rrëzimin e argumentit dhe me arsyetimin e rrëzimit të tij. Jo, ai merret me personin që i prek objektin e adhurimit. Sulmon personin ose ndërron temë dhe shkon te një temë tjetër, ose ndërron “argument” dhe shkon te “argumente” të tjera. Ka raste kur diçka që është kundër logjikës së militantit apo ekstremistit, ai e merr si diçka në favor të tij dhe nis e tjerr kuturu fjalë në mbrojtje të logjikës së vet.
Kur dikush përpiqet të paraqesë argumente, të ndërtojë një analizë apo një logjikë në mënyrë që të sqarojë diçka, të shkojë tek e vërteta, të ndihmojë diskutimin, veten dhe tjetrin, organizatën ku është ai apo ku janë bashkë militanti dhe ekstremisti, këta të fundit tërbohen, sepse atyre nuk u duhet e vërteta. Nuk ka as se si t’u duhet e vërteta. Ata sulmojnë me etiketimet, përdorin çdo shpifje apo sajese që mund të kenë dëgjuar ose që mund të përdorë lideri apo objekti i tyre i adhurimit.
Militanti dhe ekstremisti çdo gjë të komplikuar e shpjegojnë thjesht dhe kollaj. Ata mund të japin mend për çështje si epistemologjia e Aristotelit, kuptimi i Shën Agustinit për besimin apo politikën, arsyet pse ra Roma, racionalizmi i Dekartit, Kushtetuta e SHBA-së, sociologjia e Marksit, kushtetutshmëria e mosshkarkimit të Veliajt nga Gjykata Kushtetuese, politikat e Netanyahut për të justifikuar veprimet e veta, marrëveshjet e Trump me Kinën, arsyet pse Trump po fiton apo po humbet në zgjedhjet e sotme, protesta e studentëve dhe forca e madhe e opozitës apo pastërtia e kryeministrit përballë akuzave.
Militantin apo ekstremistin e vërteta nuk e tremb, nuk e ndikon, nuk i shkakton asgjë. Ajo i bie atij tangent në kokë, bën rikoshet dhe ikën. Këta bëjnë turmën, me këta ideologjitë kriminale dhe totalitare mbahen në këmbë. Nevojës së tyre “që t’u dalë vetëm e vetja, e vetja e formuar nga objekti i rremë i adhurimit”, demagogët i përgjigjen me mjeshtëri. Ua ushqejnë këtë ndjenjë, ua ushqejnë marrëzinë dhe delirantizmin dhe i bëjnë turmë luftëtarësh për qëllimet e tyre.
Rrjetet sociale janë një mundësi e artë për këta lloj demagogësh.
Kështu pastaj del maskarai burrë i mirë, hajduti dhe i pamoralshmi del i ndershëm, komunisti bëhet antikomunist dhe antikomunisti del komunist, i korruptuari i doganave apo prokurorive del zyrtar i drejtë, shkatërruesi i qytetit, i teatrit dhe i godinave të vjetra del modernizues, rrena del e vërtetë, martesat gay bëhen të mira, adoptimi i fëmijëve nga çiftet gay bëhet diçka e dëshirueshme dhe e lavdërueshme etj. Ketu eshte zhytur edhe nje pjese e shoqerise sone, prandaj edhe kemi perfundur ne nej qeverisje dhe ne nje gjendje te tille. Militanti dhe ekstremisti eshte pasuri e rralle per demogoget, ndoshta me e madhja./GD










