
Nga Dashnim HEBIBI
Cyrih, Zvicër, 6 qershor – Mërgata shqiptare në Zvicër, e veçanërisht votuesit e regjistruar pranë Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, kanë treguar edhe kësaj radhe një interesim të madh për procesin zgjedhor parlamentar në Kosovë.
Sipas të dhënave të siguruara, nga gjithsej 2.092 qytetarë me të drejtë vote, votën e tyre e kanë ushtruar 1.758 votues, që përbën 84.03 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. Kjo përqindje është pothuajse e njëjtë me atë të zgjedhjeve të kaluara, duke dëshmuar vazhdimisht lidhjen e fortë të mërgatës me zhvillimet politike dhe demokratike në atdhe. Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, së bashku me stafin e konsullatës, ka qenë në detyrë që nga orët e hershme të mëngjesit e deri në përfundimin e procesit të votimit. Sipas informacioneve zyrtare, procesi zgjedhor ka kaluar qetësisht dhe pa incidente.
Berisha ka bërë të ditur se qytetarët kanë votuar lirshëm dhe se organizimi i procesit ka qenë në nivelin e duhur. Ai ka vlerësuar disiplinën e votuesve, të cilët kanë respektuar rendin dhe procedurat gjatë gjithë ditës. Një ndihmë të veçantë në organizimin e procesit ka dhënë edhe Kantoni i Cyrihut, i cili ka mundësuar parkingje të rezervuara për votuesit. Kjo ka lehtësuar lëvizjen dhe qasjen e qytetarëve drejt objektit konsullor, duke ndikuar në mbarëvajtjen e procesit. Me këtë rast, Berisha ka shprehur falënderim për autoritetet kantonale dhe lokale zvicerane, si dhe për qytetarët e Cyrihut dhe zonave përreth, për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar gjatë ditës së votimit.
Gjatë ditës, në ambientet e konsullatës janë parë edhe veprimtarë të njohur të partive të ndryshme politike që veprojnë në mërgatën shqiptare në Zvicër. Shumica prej tyre kanë shprehur kënaqësi për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Pjesëmarrja prej mbi 84 për qind dëshmon edhe një herë se mërgata shqiptare mbetet një faktor i rëndësishëm në jetën politike dhe demokratike të Kosovës. Edhe pse larg atdheut, bashkatdhetarët vazhdojnë të ndjekin me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe të japin kontributin e tyre përmes pjesëmarrjes në proceset demokratike. Mesazhi që u përcoll gjatë kësaj dite ishte i qartë: pavarësisht bindjeve politike, fituesja më e madhe duhet të jetë Kosova. Pas shumë sakrificave dhe sfidave historike, qytetarët shpresojnë që vendi të vazhdojë rrugën e zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit në institucionet euroatlantike.
Një detaj simbolik i kësaj dite ishte edhe moti me diell që mbizotëroi në Cyrih. Pas disa ditësh me reshje shiu në pjesë të ndryshme të Zvicrës, dita e votimit u zhvillua në kushte të mira atmosferike, duke lehtësuar ardhjen e votuesve në qendrën e votimit. Tani vëmendja është e përqendruar te procesi zgjedhor në Kosovë, me shpresën që gjithçka të zhvillohet në frymë demokratike dhe në interes të qytetarëve dhe të ardhmes së vendit.




